Arkiv

Vrasja e gruas në Llaushë të Skenderajt, pas raportimit të KALLXO.com, Këshilli Prokurorial me masë disiplinore ndaj prokurores Kasaloviq

Disa muaj pasi që KALLXO.com shpërfaqi mënyrën se si prokurorja Stojanka Kasaloviq liroi në procedurë të rregullt të dyshuarin për vrasjen e gruas në Llaushë, Këshilli Prokurorial i Kosovës ndaj të njëjtës ka shqiptuar masë disiplinore.

51-vjeçari Skënder Qerimi, më 6 janar të këtij viti, dyshohet se vrau bashkëshorten e tij Lirije Qerimi në Llaushë të Skenderajt, pas mosmarrëveshjeve të vazhdueshme me të.

Pesë ditë para vrasjes, më 1 janar 2022, 48-vjeçarja Lirije Qerimi kishte raportuar në Polici për dhunën fizike që dyshohej se i shkaktonte bashkëshorti i saj Skënder Qerimi.

Policia kishte njoftuar për këtë rast edhe prokuroren kujdestare e cila ishte Stojanka Kasaloviq.

Kjo është prokurorja që liroi në procedurë të rregullt të dyshuarin për vrasjen e gruas në Llaushë (FOTO)

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka aprovuar marrëveshjen vullnetare me të cilën KPK-ja prokurores Kasaloviq i ka shqiptuar masën disiplinore vërejtje publike me shkrim.

Sipas vendimit, prokurorja Kasaloviq ka bërë lëshimin e veprimeve procedurale për rastin e dhunës në familje i cili rast kishte përfunduar me fatalitet pasi viktima Lirije Qerimi dyshohet se ishte vrarë nga bashkëshorti i saj Skënder Qerimi.

Paneli hetimor lidhur me këtë rast ka gjetur se prokuroja e rastit Kasaloviq nuk kishte ndërmarrë aktvendim për ndalim ndaj të dyshuarit, mirëpo, kishte udhëzuar që rasti të hapet si dhunë në familje duke e neglizhuar.

“Paneli Hetimor gjeti se prokurorja Stojanka Kasaloviq ka qenë kujdestare në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, më datë 01.01.2022, kur është thirrur nga zyrtari policor i stacionit policor …., i cili e kishte raportuar një zënkë në një familje, ku djali i cili ishte i rritur e kishte raportuar babanë, sepse ai e kishte larguar nënën nga shtëpia për shkaqe xhelozie”, thuhet në vendimin e KPK-së.

“Me qenë se nuk kishte pasur dhunë fizike, s’kishte pasur recidivizëm dhe djali i viktimës kishte garantuar për sigurinë e nënës, prokurorja Kasaloviq nuk kishte marrë aktvendim për ndalim, kishte udhëzuar që rasti të hapet për dhunë në familje, por në procedurë të rregullt dhe të informohet mbrojtësi i viktimave, por që më nuk është interesuar për rrjedhën e rastit”, sqarohet në vendim.

Më tej thuhet se prokuroja e rastit nga neglizhenca nuk i ka ndërmarrë veprimet e nevojshme nëse viktimës i ishte siguruar urdhër mbrojtje duke arsyetuar se gjatë vikendeve dhe ditëve të festave urdhëri emergjent lëshohet nga Koordinatori Regjional i Policisë.

“Prokurorja Kasaloviq është e përfshirë në sjellje të cilat e kanë dëmtuar reputacionin e prokurorit të shtetit dhe kanë dëmtuar besimin e publikut në profesionalizmin, paanshmërinë dhe besueshmërinë në Prokurorinë e Shtetit kur nga neglizhenca nuk ka ushtruar funksionet e saj prokuroriale, kur nuk i ka ndërmarrë masat e nevojshme për mbrojtjen e viktimës konkretisht nuk është interesuar nëse viktimës i është siguruar urdhëri i mbrojtjes pavarësisht se përgjegjësia ka qenë e shpërndarë, sepse vikendeve dhe ditëve të festave urdhëri emergjent lëshohet nga Koordinatori Regjional i Policisë”, thuhet në vendim.

Sipas KPK-së pasi është aprovuar marrëveshja vullnetare për pranimin e përgjegjësisë disiplinore, është vërtetuar se prokurorja Kasaloviq ka vepruar në kundërshtim me Kodin e Etikës dhe Sjelljes Profesionale për Prokurorë si dhe me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

51-vjeçari Skënder Qerimi në janar të këtij viti dyshohet se me dashje ka vrarë me gjashtë plumba bashkëshorten e tij Lirije Qerimi, pas një mosmarrëveshje të vazhdueshme me të.

Pesë ditë para vrasjes, Lirije Bajrami e kishte denoncuar dhunën fizike nga bashkëshorti i saj Skënder Qerimi në Policinë e Kosovës.

Sipas dosjes së Prokurorisë, për caktimin e masës së paraburgimit, rezulton se viktima Lirije Qerimi më 1 janar 2022 në Stacionin Policor në Skenderaj kishte ushtruar kallëzim penal ndaj Skënder Qerimit për dhunë në familje.

Vrasja në Llaushë – Viktima e kishte lajmëruar rastin në Polici 5 ditë para se të vritej, i dyshuari ishte lënë i lirë

Një hulumtim i KALLXO.com zbardhi se si Mbrojtja e Viktimave u njoftua përmes emailit nga Policia për rastin e dhunës në familje ndaj Lirije Qerimit, e cila u vra më 5 janar.

Vetë mbrojtësja e viktimave Hatixhe Latifi kishte treguar për KALLXO.com se nga zyrtarët policorë kishte kërkuar që dosjen t’ia dërgonin përmes emailit derisa tregonte se kishte sugjeruar zyrtarët policorë që për urdhër mbrojtje ta njoftonin koordinatorin regjional të dhunës në familje.

Kjo pasi që këtë urdhër mbrojtje emergjent mund ta lëshojë edhe Policia në raste emergjente dhe kohë festash deri sa të bëhej kërkesë në gjykatë nga Zyra për Mbrojtjen e Viktimave.

Në ditën kur Lirije Qerimi kishte kërkuar urdhër mbrojtje ishte ditë e shtunë, për shkak të festave të fillimvitit festat zyrtare u bartën në ditën e hënë dhe e martë ndërsa një kërkesë për urdhër mbrojtje u la të ushtrohej tek të mërkurën, katër ditë pas raportimit për dhunë në familje.

Në emisionin e “Kallxo Përnime” janë zbardhur edhe detaje të reja në lidhje me trajtimin e rastit të dhunës në familje që ishte raportuar më 1 janar 2022.

Detaje të reja për vrasjen në Llaushë: Mbrojtja e viktimave u lajmërua 4 orë me vonesë nga Policia pasi u intervistua viktima

Zyra për Mbrojtjen e Viktimave ishte njoftuar katër orë më vonë për rastin e hapur si dhunë në familje, të cilin e kishte raportuar djali i Lirije Qerimit e vrarë më 5 janar 2022.