Pas hulumtimit të KALLXO.com, ndëshkohet gjyqtari nga Kaçaniku

Riza Livoreka, gjyqtari i cili ishte filmuar duke biseduar me një palë në procedurë dhe duke i kërkuar që të lidhte marrëveshje ose në të kundërtën do t’u merrte pronën, në dhjetë muajt e ardhshëm do të marrë pagë më të ulët.

Kjo pasi Këshilli Gjyqësor i Kosovës e ka aprovuar marrëveshjen e gjyqtarit Livoreka me panelin hetimor, meqë rast, i njëjti është shpallur fajtor për veprim që dëmton reputacionin e gjykatës dhe mbajtje të takimit pa praninë e palës tjetër.

“Gjyqtari i Gjykatës Themelore ne Ferizaj-Dega në Kaçanik z.Riza Livoreka është përgjegjës për shkelje disiplinore të përcaktuar ne nenin 5, paragrafi 2, pika 2.8,2.15, te Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtareve dhe Prokuroreve, dhe paragrafi 5, pika 5, te Kodit te Etikes Profesionale për Gjyqtar, dhe te njëjtit i shqiptohet sanksioni disiplinor zvogëlim i përkohshmen i pagës në lartësi prej 40% ne kohëzgjatje për dhjete (10) muaj”, thuhet në vendimin e KGJK-së.

Në janar të këtij viti, KALLXO.com kishte publikuar hulumtimin për gjyqtarin nga Kaçaniku i cili ishte filmuar duke i kërkuar palës së paditur që të arrinte marrëveshje jashtëgjyqësore ose në të kundërtën do t’ua merrte pronën.

“O unë me ty jam tu fol veç që e njoh Rakipin, moti se s’kisha fol hiç, unë ta bij vendimin, s’e ke respektu të drejtën për parablerje, pesë pare s’i jap”, dëgjohej gjykatësi Livoreka duke i thënë palës.

Ashtu edhe siç edhe kishte paralajmëruar, pasi nuk u arritur marrëveshja Gjyqtari Livoreka me datë 31 dhjetor 2021 e kishte nxjerrë vendimin me të cilin ia kishte marrë  pronën familjes Malsiu dhe të njëjtët ia kishte dhënë familjes Tusha.

Pas hulumtimit të emisionit “Kallxo Përnime” suspendohet gjyqtari Riza Livoreka

Vendimi ishte marrë duku u bazuar në një ligj i cili që nga viti 2009 nuk zbatohet në Republikën e Kosovës.

Menjëherë pas publikimit të hulumtimit gjyqtari Riza Livoreka ishte suspenduar nga puna.