Komisioni per BPZhRPH

Projektligji për objektet pa leje kalon Komisionin, procedohet për Kuvend

Komisioni për Bujqësi në rend dite ka Shqyrtimin e projektligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje.

Kryesuesi i Komisionit, deputeti Daut Haradinaj para anëtarëve tjerë propozoi që në rend dite të hyjë edhe projektligji për Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Ky propozim është miratuar në parim nga anëtarët e komisionit që kjo pikë të hyjë në rend dite.

“Propozoj të hyj në rend dite projektligji për kompleksin memorial Adem Jashari”.

Kryesuesi i Komisionit Daut Haradinaj tha se grupi punues ka bërë punë të madhe në plotësim-ndryshimin e këtij projektligji, i cili sipas tij duhet t`i dërgohet Kuvendit në tërësi.

“Po shihet që është bërë punë e madhe në këtë projektligj. Unë i kisha qit në votim amendamentet e grupit punues dhe ta procedojmë në seancë ligjin në tërësi”, ka thënë Haradinaj.

Deputeti Liburn Aliu tha se grupi punues për trajtimin e ndërtimeve pa leje i ka trajtuar gjitha vërejtjet. Ai ka thënë se me amandamentimin e bërë procesi i pranimit teknik të objekteve që kanë leje do të kryhet shumë më lehtë.

“Kemi bërë amendamente të nevojshme. Me këtë ligj, me këto rekomandime besoj që kemi me pas mundësi që procesi e legalizimit do të funksionoj shumë më mirë. Kjo ka me luajt rol në pranimet teknike. Edhe ose objektet kanë leje dhe nuk janë pranuar teknikisht, tash e kanë mundësinë me ligjin e legalizimit ta kryejnë procesin e pranimit teknik me një hap shumë të thjeshtë. Në total numri i amendamenteve arrin në 9 amandamente. Pa qenë e definuar çështja pronësore nuk mund të legalizohet asnjë objekt. Ajo rri në listë të pritjes”, ka deklaruar Aliu.

Këto amandamente/propozime janë miratuar nga komisioni me vetëm një votë kundër nga Srdjan Mitroviç, nga Lista Serbe.