Gjykimi ndaj ish inspektorëve të Gjilanit

Gjykimi ndaj ish inspektorëve të Gjilanit

Nis rigjykimi i katërt ndaj ish-inspektorëve dhe ish-drejtorit të urbanizmit të Komunës së Gjilanit

Merita Cana- Shabani, Shkëndije Mahmuti- Hajdini, Baki Azemi dhe ish-drejtori i Urbanizmit, Valon Shefkiu, janë ulur sot në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Gjilanit.

Ata po akuzohen se e kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, duke mos i rrënuar disa objekte pa leje.

Ky gjykim është urdhëruar nga Gjykata e Apelit pasi që Gjykata e Gjilanit i kishte liruar nga akuza të akuzuarit tri herë radhazi.

Në seancën e sotme duke dhënë fjalët hyrëse, të gjithë palët në procedurë qëndruan pranë fjalëve hyrëse të tyre, të dhëna në shqyrtimet e kaluara.

Tutje, prokurori Isuf Sadiku i propozoi Gjykatës që shqyrtimin e sotëm ta shtyej pasi nuk është lënda e tij.

“Prokurori i rastit Arben Kadriu, për momentin është i zënë në procedurën e intervistimit për kryeprokuror të Prokurorisë së Gjilanit, andaj duke qenë se ai e ka ngritur aktakuzën, propozoj që kjo seancë të shtyhet”, tha prokurori Sadiku.

Pas propozimit të prokurorit seanca e sotme u shty dhe do të vazhdojë më 22 janar 2021.

Sipas Prokurorisë, katër të akuzuarit gjatë periudhës kohore 2013-2014, në Gjilan nuk kishin ndërmarrë veprime zyrtare për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje ndërtimi, si dhe rrënimin e objekteve në të cilat është tejkaluar leja e ndërtimit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit në mënyrë të kundërligjshme dhe në kundërshtim me interesat dhe qëllimet e Komunës së Gjilanit, nuk kishin ekzekutuar masën për rrënimin e këtyre objekteve, duke iu mundësuar personave të ndryshëm përfitim pasuror.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast – LINK