Komuna e Prizrenit rrënon një objekt pa leje të ndërtuar në pronë shoqërore

Drejtoria e Inspektorateve në Prizren sot ka rrënuar një objekt afarist në rrugën “Ali Pashë Tepelena”, i cili ka qenë i ndërtuar pa leje ndërtimore në pronë shoqërore.

Sipas Komunës së Prizrenit, rrënimi i objektit ka vazhduar sot sepse pronari ka vazhduar me ndërtimin e objektit përkundër urdhrit të Inspektoratit për ndalim të çfarëdo veprimi.

“Drejtoria e Inspektorateve sot ka intervenuar në një objekt afarist pa leje ndërtimore, me etazhitet P+0, i cili gjendej në rrugën “Ali Pashë Tepelena”. Rrënimi i objektit është realizuar sot si pasojë e vazhdimit të punimeve për ndërtim nga ana e investitorit, pavarësisht urdhrave të Inspektoratit për ndalimin e tyre. Investitori përveçse nuk ka pasur leje ndërtimore, ka bërë edhe uzurpim të pronës shoqërore me ndërtim të objektit në ngastrën kadastrale 11053-2”, thuhet në njoftimin e komunës.

Komuna e Prizrenit është treguar e pafuqishme në muajin korrik, në tentimet për rrënimin e objektit pa leje të Abi Qarshisë.

KALLXO.com ka raportuar në tërësi për betejat e Komunës së Prizrenit me pronarët e Abi Çarshisë dhe mund t’ i lexoni në këtë link.