Rreziku nga tërmetet, Gashi: Në Kosovë janë mbi 300 mijë objekte pa leje

Ndërkohë që numri i viktimave nga tërmetet në Turqi e Siri po rritet me kalimin e orëve, në emisionin “Kallxo Përnime” po debatohet se sa është e rrezikuar Kosova nga fatkeqësi të tilla natyrore.

Kreshnik Gashi, redaktor në Kallxo.com, ka folur rreth sigurisë së munguar në ndërtesat e reja që po ndërtohen në qytetet e vendit.

“Fatkeqësia më e madhe është që në Kosovë janë mbi 300 mijë objekte pa leje të cilat nuk kanë pranim teknik. Madje shteti vazhdon t’i lejojë qytetarët të jetojnë në ato ndërtesa të pasigurta. Ata që janë duke na qeverisur nuk e kanë prioritet këtë gjë” – ka thënë Gashi.

Ai më tej ka shtuar që ka objekte të shumta publike të cilat nuk kanë dalje emergjente.

“Objekte të ndryshme nuk kanë vlerësim të rrezikut pra nga dalin njerëzit në raste emergjente. As spitalet s’kanë dalje emergjente. S’kemi plan si të reagojmë në raste emergjente” – ka shtuar më tej ai.

Si pasojë e dy tërmeteve të forta që kanë goditur jugun dhe juglindjen e Turqisë dhe veriun e Sirisë deri më tani kanë vdekur afër 4,000 persona, ndërsa mijëra të tjerë janë lënduar e shumë gjenden nën gërmadha.