Foto: BERZh

Projekti i KEK-ut për energji të ripërtërishme nuk fillon deri në vitin 2025

Projekti i Korporatës Energjetike të Kosovës për energji solare dhe me erë apo ndryshe energji të ripërtërishme nuk do të fillojë deri më 2025.

Kryshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime” ka dhënë detaje shtesë për këtë projekt.

Ai ka treguar se javën e kaluar ka dalë tenderi për projektin që do të financohet nga KEK-u, banka gjermane KFV dhe Banka Investive Evropiane.

Mjetet për finalizimin e projektit, Krasniqi ka thënë se do të sigurohen nga tri komponente. Atë të donacionit, të kredisë së butë edhe nga paratë e KEK-ut.

Tenderi për këtë projekt Krasniqi ka thënë se është përgatitur nga ekipi i tyre dhe nga ekspertë që kanë qenë të anagazhuar nga KFV-ja.

“Tani pritet që të përzgjidhet kompania konsulente që ka me e përgatitë projektin më tutje” – tha Krasniqi në “Kallxo Përnime”.

Sipas tij, projekti pritet që deri në nëntor të aprovohet në Parlamentin gjerman më pas të caktohet shuma e kredisë.

Se pse nuk është caktuar ende kjo e fundit, Krasniqi tha se së pari duhet të bëhet projekti nga kompania konsulente pastaj të llogaritet kosto e shpenzimeve dhe në fund të bëhet marrëveshja e kredisë.

Nga ky projekt i energjisë elektrike, Krasniqi ka thënë se në Kosovë do të prodhohen 100 megavatë rrymë më shumë.

Projekti është i paraparë të vendoset në ish-deponinë e TC “Kosova A”.