Profesori me avancim kontravers që do ta udhëheq Ministrinë e Arsimit

Kuvendi i Kosovës sot ka votuar Qeverinë e re në krye me Avdullah Hotin.

Kjo qeveri është formuar në koalicion me LDK-AAK-NISMA-Lista Serbe dhe ky koalicion, Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë ia ka besuar Ramë Likaj nga AAK.

Likaj me profesion është profesor i rregullt në Fakultetin e Inxhinerisë Mekanike. Ai ligjëron në nivelin Bachelor dhe Master në degën e Mekatronikës për 26 vite.

Në nivelin Bachelor ai ligjëron: Kërkime operacionale në komunikacion, Organizimi dhe ekonomika e komunikacionit si dhe metodat eksperimentale.

Kurse në nivelin master ligjëron lëndët: Menaxhmenti në komunikacion, Stimulimi i sistemeve mekanike, Dizajni dhe simulimi i sistemit dhe menaxhimi i prodhimtarisë.

Në lidhje me punën e tij si profesor, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim e ka kundërshtuar propozimin e Likajt si ministër të MAShT-it, pasi sipas tyre ai ishte avancuar në mënyrë të dyshimtë.

“Ramë Likaj është i përfshirë në skandalin më të madh të Universitetit të Prishtinës si një nga profesorët e avancuar përmes plagjiaturës dhe mashtrimit akademik i njohur si rasti i Supermenëve të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike”, thotë ORCA.

“Ramë Likaj është avancuar nga pozita e profesorit të asocuar në atë të profesorit të rregullt në vitin 2018 përmes një procesi mashtrues. Ramë Likaj me rastin e avancimit të tij ka paraqitur 19 punime shkencore brenda 1 viti e gjysëm, sa 19 fishi i kolegëve të tij norvegjezë që arrijnë të publikojnë jo më shumë se 1 punim në vit”, thuhej më tej në reagimin e tyre.

Likaj po ashtu ka qenë këshilltar për arsim i Ramush Haradinajt sa ai ishte kryeministër nga viti 2018 deri në vitin 2019, të cilën e ka cilësuar si punë vullnetare.

Likaj po ashtu ka qenë edhe këshilltar i ish-ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami gjatë vitit 2015-17, të cilën po ashtu sipas CV-së së tij, e ka cilësuar si punë vullnetare.

Ai po ashtu ka qenë kryetar i bordit të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë në vitet 2015/16, kryetar i Këshillit për Arsim dhe Aftësim Profesional në vitin 2015, koordinator i Këshillit për Arsim dhe Aftësim Profesional në vitin 2015, koordinator i Republikës së Kosovës për vlerësimin PISA,  Koordinator i Kosovës për Procesin e Torinos, 2015-2016,  Koordinator i MASHT për vlerësimin e Planit Strategjik të Arsimit 2011-2016, dhe koordinator i MASHT për Zhvillimin e Planit Strategjik të Arsimit 2017-2021.

Ai po ashtu ka qenë anëtar i Senatit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, anëtar i rrjetit të Evropës Juglindore për trajnimin e arsimtarëve dhe trajnerëve të arsimit dhe aftësimit profesional, që nga viti 2003,  në Torino, Itali, anëtar i grupit punues për hartimin e planit Zhvillimor Qeveritar 2017-2021.

Si dhe anëtar i Këshilli për Arsim dhe Aftësim Profesional për dy mandate gjatë vitit 2006-2008 dhe Anëtar dhe Kryesues i Paneleve të ekspertëve për Validim të Kualifikimeve dhe Akreditim të Institucioneve, Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve.

Kjo ministri deri tani ishte udhëhequr nga Hykmete Bajrami, e cila me profesion ishte ekonomiste.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar sot qeverinë e re të përbërë nga koalicioni LDK-AAK-NISMA-Lista Serbe, të drejtuar nga Avdullah Hoti.

Për qeverinë e re kanë votuar 61 deputetë, 24 ishin kundër dhe 1 abstenoi. Në votim morën pjesë 86 deputetë.

Qeveria Hoti përbëhet nga 4 zëvendëskryeministra dhe 16 ministria. Përbërjen e Qeverisë mund ta gjeni KËTU.