Produkte kozmetike nga bimët mjekësore të Lazaratit - VIDEO

Disa qindra të rinj kanë emigruar nga Lazarati, një fshat i njohur në Shqipëri për kultivimin e marijuanës disa vite më parë.

Por Fabiola Meçi e diplomuar për biznes dhe e specializuar në kozmetikë ka zgjedhur të qëndrojë duke u marrë me bimët aromatike dhe mjekësore.

Fabiola prodhon prej disa vitesh disa produkte të thjeshta kozmetike që po gjejnë gjithnjë e më shumë treg brenda dhe jashtë vendit.

Lazarati, një fshat që për disa vite u njoh për kultivmin masiv të marijuanës, tani është një nga zonat më të prekura në Gjirokastër nga emigrimi.

Qindra të rinj janë larguar jashtë vendit kryesisht në Angli dhe Shtetet e Bashkuara ndërsa banorët po përballen me vështirësi të mëdha ekonomike.

Por Fabiola Meçi, e diplomuar për biznes dhe e specializuar për kozmetikë ka gjetur një mënyrë për të qëndruar në fshatin e saj.

Fabiola prej gati pesë vitesh prodhon artikuj të thjeshtë kozmetikë duke shfrytëzuar pasurinë natyrore të Lazaratit dhe mundësitë familjare ku pjesëtarët e saj kanë një fermë me bagëti të imta dhe një park bletësh.

“Flora e fshatit tim Lazaratit është shumë e pasur. Ka shumë bimë që mund të japin zgjidhje në produkte kozmetike. Mund të përmend shumë bimë si sherebeli, rozmarina, çaji i malit, rigoni, të cilat i përdor dhe unë në produktet e mija kozmetike”.

Fabiola përmend disa nga produktet që prodhon dhe fillojnë që nga sapuni për fytyrën,kremrat e ndryshëm me baza bimore që përdoren në trajtimin e lëkurës apo dehidratimin e saj, vajrat bimorë për trajtimin e flokëve apo pomadat kuruese.

“Një nga produktet është kombinimi vajor për flokë, i cili ka 12 lloje bimësh, që gjende kollaj në Malin e Sopotit, ka pesë vite dhe njihet në treg ,stimulon daljen e flokëve të rinj, ndalon zbokthin, ndalon prodhimin e yndyrës në flokë etj.

Një tjetër produkt është pomada me propolis e cila është përgatitur më bazë me propolisin e parkut tonë të bletëve dhe përdoret për ekzemat, mykun e thonjve ndërsa sproduktet e sapuneve për fytyrë kanë për bazë qumështin e dhisë dhe aromën dhe ngjyrën e rozmarinës.

Janë edhe disa lloje kremrash që përdorën për trajtimin e lëkurës apo dehidrimin e saj”.

Fabiola i tregëton produktet në disa nga farmacitë në Tiranë dhe me shitjet në internet, por ndërkohë banorët që vijnë nga emigrimi kur largohen blejnë gjithashtu produktet e saj, në sasi.

Fabiola synon të rritet në treg dhe produktet e saj të shtohen pasi edhe pasuria e Lazartit me bimë mjekësore është e madhe dhe të ndihmon, thotë ajo.

“Synimet nuk mbarojnë kurrë, sigurisht, por dëshiroj të rritem në treg dhe produktet e mia të kenë efektshmëri që të fitohet besimi i njerëzve dhe të hap së shpejti një dyqan me markën e prodhimeve të mia në Gjirokastër, që është një qytet turistik”.

Fabiola thotë që gjithmonë ka dëshiruar të bëjë diçka, jo vetëm për vete, por edhe për emrin e fshatit të saj.

“Kur kam mbaruar studimet isha me dëshirën më të madhe që të kthehem në Lazarat për të bërë diçka për vendim tim qoftë si individ që po rri në fshat dhe po punoj, por edhe me një sipërmarrje të vogël për të mirën e imazhit të Lazaratit”.

Bashkimi Euoropian mbështeti pak kohë më parë ngritjen e një qendre për grumbullimin dhe trajtimin e bimëve mjekësore në Lazarat që synon të ndihmojë banorët që merrem me mbledhjen e tyre në natyrë.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës Flamur Golemi e ka nxitur krijimin e qendrës jo vetëm për banorët e këtij fshati, por edhe të zonën më gjerë që merret me mbledhjen e bimëve mjekësore.

“Kjo do të jetë edhe një pikë në të gjithë itinerarin e diversifikimit të ofertës sonë turistike për të gjithë ata turistë që vijnë në Gjirokastër dhe nuk dëshirojnë të shohin vetëm monumentet dhe pasurinë muzeale të qytetit por edhe vlerat natyrore dhe etnokulturore të Lazaratit dhe më gjerë”.

Autoritetet vendore synojnë që ta kthejnë këtë pikë në Lazarat edhe në një itinerar turistik për të paraqitur vlerat e zonës dhe pasuritë natyrore, sidomos të bimëve aromatike dhe mjekësore./VOA