Prizren, detaje nga dosja ku 4 të dyshuar po akuzohen se kanë vjedhur cigare në supermarket

Më 2 shkurt 2020, në fshatin Korishë të Prizrenit, 4 persona po dyshohen se në bashkëkryerje kanë hyrë me forcë në qendrën tregtare “Viva Fresh Store” dhe nga aty kishin vjedhur një sasi të cigareve.

Sipas dosjes, të pandehurit me rastin e daljes nga qendra tregtare në fjalë, vërehen nga dëshmitari Xhafer Ahmetaj, i cili njëkohësisht ishte pronar i objektit të qendrës tregtare.

I pandehuri Ahmet Ahmetaj, me të kuptuar se janë vërejtur nga pronari i objektit, fillon të shkrepë me një armë zjarri dhe më pas edhe dëshmitari Xhafer Ahmetaj detyrimisht gjuan me pistoletën e tij e pas kësaj të pandehurit arrijnë të largohen nga vendi i ngjarjes.

Lidhur me këtë rast, Prokuroria po i ngarkon Veton Krasniqin, Leotrim Sokolin, Berat Sylën dhe Ahmet Ahmetajn për veprën – vjedhje grabitqare.

Kurse i pandehuri Xhafer Ahmetaj nga Prokuroria po akuzohet për armëmbajtje pa leje edhe pse i njëjti kishte deklaruar se posedon leje nga organi kompetent.

Gjatë seancës së sotme u dha fjala hyrëse.

Përfaqësuesi i Prokurorisë, Genc Nixha, në fjalën hyrëse bëri të ditur se me anë të provave do të vërtetohet se të akuzuarit në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale të  vjedhjes grabitqare, si dhe bëri të ditur faktin se këto vepra në territorin e Prizrenit janë duke u shtuar dhe tregojnë rrezikshmëri të lartë.

“Konsideroj se mosndëshkimi i këtyre veprave mund të ketë pasoja të mëdha për shoqërinë”, tha prokurori Nixha.

Kurse, mbrojtësit e 4 të pandehurve, në fjalën hyrëse deklaruan se pas administrimit të provave do të vërtetohet se të akuzuarit e lartcekur nuk janë të involvuar në këtë vepër penale.

Në këtë seancë prezantoi edhe përfaqësuesi i “Viva Fresh Store” i cili u mor në pyetje në cilësinë e dëshmitarit.

Dëshmitari J.B. deklaroi para trupit gjykues se ditën kritike kishte marrë një telefonatë nga kompania e sigurimeve dhe kishte shkuar në vendin e punës ku më pas kishte hyrë në objekt dhe kishte vërejtur se në zyrën e tij ishte dëmtuar dollapi dhe nga aty ishin marrë një sasi e cigareve dhe asgjë tjetër.

Dëshmitari gjithashtu bëri të ditur për trupin gjykues së kjo pikë e shitjes edhe më herët kishte qenë cak i vjedhjeve dhe dëmtimeve për çka edhe e kishte paraqitur rastin në Polici.

Në seancë, dëshmitari u pyet se me rastin e shikimit të video-incizimeve nga vendi i ngjarjes a mund t’i identifikonte ndonjërin prej të akuzuarve.

“Jo, të katër personat kanë qenë të veshur me veshje sportive dhe fytyrat e tyre kanë qenë të mbuluara me kapele dhe shall”, tha dëshmitari.

Kurse, lidhur me dëmin e shkaktuar, përfaqësuesi i “Viva Fresh Store” njoftoi se do të parashtrojë kërkesën pasurore juridike në vlerën prej 2.040,50 euro.