Foto: Policia e Kosovës, Facebook

Prishtinë, sekuestrohen dy armë zjarri, një thikë dhe substanca narkotike

Një armë “Kallashnikov” e një tjetër “Zoraki”, një thikë dhe substanca narkotike janë sekuestruar sot në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë.

Policia e Kosovës njofton se pas marrjes së informatave në rrugë operative se një person posedon armë, me autorizim të prokurorit kanë kontrolluar shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit.

Gjatë këtij kontrolli, sipas Policisë, i dyshuari ka kanosur një zyrtar policor.

Përveç armëve Policia ka gjetur edhe dy karikatorë, 9 fishekë dhe një sasi të konsiderueshme të substancës narkotike që dyshohet se është marihuanë.

“Personi i dyshuar S. C, (mashkull), 48 vjeç, është arrestuar nga ana e policisë dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndaj tij janë kryer procedurat e nevojshme policore dhe në koordinim me prokurorin e shtetit është hapur rast për veprat – armëmbajtje pa leje, – posedim i paautorizuar i substancave narkotike, si dhe – kanosje.