Prishtinë, Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një gruaje që dyshohet për shpërdorim të pasurisë së huaj

Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarët me qëllim gjetjen e një gruaje që po dyshohet për  shpërdorim të pasurisë së huaj dhe për keqpërdorim të kartelave bankare në Prishtinë.

Sipas Policisë, gruaja në fotografi kërkohet për përfshirje në një rast që është raportuar në Polici në nëntor të vitit 2023.

“Njësiti i hetimeve të stacionit policor Qendra në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin dhe arrestimin e  personit që shihet në fotografi. E dyshuara kërkohet për përfshirje në një rast, Shpërdorim i pasurisë së huaj dhe keqpërdorim i kartelave bankare , që është raportuar në polici në nëntor të vitit 2023”- thuhet në komunikatën e Policisë.

Policia ka bërë thirrje që për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e personit apo vendodhjes së saj, të kontaktohet në numrin e telefonit 192.