Insulina - Ilustrim RTK

Prishtina e Obiliqi, pa disa lloje të insulinave, pacientët i blejnë ato në barnatoret private

Insulina është jetike për pacientët me diabet, por pavarësisht kësaj problemet për furnizim të mjaftueshëm me insulina në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare është duke vazhduar kohë pas kohe.

Insulinë marrësit në kryeqytet janë të detyruar të blejnë insulinën “Novomix” dhe “Levemir” në barnatoret private pasi ato mungojnë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

“Totali i nevojave për të dy llojet e insulinave është rreth 7,500 në muaj”, thotë për KALLXO.com  drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Bujar Gashi.

Situatë e njëjtë është edhe në QKMF në komunën e Obiliqit.

Përveç insulinës “Novomix”, dhe “Levemir” në këtë qendër po ashtu ka mungesë edhe të insulinës “Novorapid”.

“Tash e katër apo pesë ditë kemi mungesë”, thotë për KALLXO.com, Haki Jashari, drejtor i QKMF-së në Obiliq.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se që nga muaji korrik i këtij viti, në vazhdimësi janë furnizuar të gjitha institucionet e nivelet primar në gjithë vendin.

Në përgjigjen e tyre po ashtu thuhet se “brenda javës do të vazhdohet me furnizimin e rregullt mujor për të gjitha QKMF-të në vend, meqë ka insulina në dispozicion”.

Rreth 28 mijë qytetarë në Kosovë janë të varur nga insulina për shkak të problemeve me sëmundjen e diabetit.

KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar për mungesën e insulinave në të gjitha nivelet shëndetësore në nivel vendi.

KËTU mund t’i gjeni të gjitha shkrimet për mungesën e insulinave.

Heshtja e Ministrisë së Shëndetësisë karshi problemit me mungesën e insulinave