Insulina - Ilustrim RTK

Heshtja e Ministrisë së Shëndetësisë karshi problemit me mungesën e insulinave

Institucionet shëndetësore në Kosovë tash e tre muaj janë të pafurnizuara me insulina, por për një gjë të tillë Ministria e Shëndetësisë ka përzgjedhur të hesht.

Isuf Klinaku nga Obiliqi tash e rreth tre muaj është detyruar të ngarend nga një barnatore në tjetrën për të blerë insulina për të cilat ai është i varur pasi që vuan nga sëmundja e diabetit apo e njohur tek qytetarët si sëmundja e sheqerit.

Klinaku tash e tre muaj blenë rregullisht insulina një herë në javë, herë nga shtatë euro herë nga tetë euro.

“Jo nuk ka insulina hala në QKMF në Obliq. Po, tash kemi hy nw muajin e tretw që nuk ka insulina dhe unë duhet çdo javë me ble insulinë kaniher në barnatore e blejë 7 euro kaniher 8 euro varet”, tha ai për KALLXO.com

KALLXO.com tash e disa javë është duke kërkuar përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë se kur do të vijnë insulina, si do të ndahen ato dhe deri ku ka arritur MSh me procedura të furnizimit me insulina.

Mirëpo, për të gjitha këto Ministria ka përgjigje gjysmake ose nuk ka fare.

Novomix është insulina e cila përdoret më së shumti nga pacientët insulinë- varës. Në anën tjetër MSh thotë se është furnizuar me insulinë Analoge dhe Humane.

“MSh pret që nga java e ardhshme insulinat të siguruara përmes Projektit të Shëndetësisë Kosovare – huamarrja nga Banka Botërore dhe prokuruar nga UNOPS-i të mund të shpërndahen nëpër komunat e Kosovës, pasi që MSh furnizon me insulina Kujdesin Parësor Shëndetësor, respektivisht QKMF-të”, thuhet në përgjigjen e vetme të marr nga Ministria nga shtatë pyetjet e adresuara në këtë ministri.

Tutje, KALLXO.com ka telefonuar edhe ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Mungesa e insulinave në QKMF-të në vend ka detyruar shumë qytetarë t’i blejnë apo t’i porositin insulinat e nevojshme për shëndetin e tyre nëpër shtetet e rajonit e më gjerë.

Për të njëjtin problem KALLXO.com pati raportuar edhe muajin e kaluar.

Sa është e nevojshme insulina për pacientët me diabet?

“Pacienti kur e ka kohën për insulinë nuk guxon të mbesë as dy orë pa insulinë e jo 24 orë”, thotë drejtori i shoqatës së diabetit në Pejë, Idriz Etemi.

Ai thekson se në Kosovë janë rreth 28 mijë qytetarë të cilët janë të varur nga insulina, prej tyre 1 mijë e 600 janë në qytetin e Pejës.

“Diku 1 mijë e 600 pacientë janë në Pejë të cilët janë insulinë marrës, po nisem prej asaj që marrin insulina nga lista esenciale. Fëmijëve insulinat ia siguron shoqata e diabetit insulinat nuk janë të varura nga ministria”, tha ai për KALLXO.com.

Ai tutje thekson se insulina bën rregullimin e një jete normale tek pacientët dhe se nga mos marrja e insulinës çdo minutë në botë vdes nga një person.

Institucionet shëndetësore në Kosovë pa insulina, qytetarët detyrohen të gjejnë zgjidhje jashtë kufijve