Pretenduesi i postit të President ishte i përfolur në konkursin për noterë

Ish-kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, ka shpallur sot kandidaturën për postin vakant të Presidentit të Shtetit.

Faktin se ia ka mësyrë kësaj pozite ish kreu i KGJK-së Nehat Idrizi e bëri të ditur sot gjatë ditës.

Viteve të fundit përpos se ka qenë në krye të KGJK-së Idrizi ka qenë edhe në krye të komisionit shtetëror për rekrutimin e noterëve.

Ky proces të cilin po e kryesonte Nehat Idrizi ishte një nga proceset më të përfolura për keqpërdorime madje për të kishte reaguar edhe Bashkimi Evropian.

Dyshimet për këtë proces kishin lindur pasi reja e Nehat Idrizit, Gentiana Bajraktari, kishte marrë pikë maksimale në testin me shkrim.

Rasti ishte hetuar për konflikt interesi pasi ishte konstatuar se Nehat Idrizi kishte marrë pjesë në përpilimin e pyetjeve të testit për noterë.

Konkursi për noterë hetohet për konflikt interesi

Procesi kishte ngjallur reagime të shumta pasi familjarë të politikanëve dhe të anëtarëve të komisionit e kishin arritur që të kalonin testin e noterisë.

Shumë nga kandidatët që nuk kanë mundur ta kalojnë atë kishin shprehur dyshimet e tyre për parregullsi në këtë proces. Këtij procesi i kishin reaguar edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Agjencioni Kundër Korrupsion pasi kishte kryer hetime administrative në lidhje me këtë proces kishte konstatuar se nuk kishte konflikt interesi pasi paraprakisht ishte shmangur ky konflikt në momentin që ishte nënshkruar deklarata e konfidencialitetit.

Ndërsa në tetor të vitit 2019, Bashkimi Evropian i kishte bërë thirrje qeverisë Haradinaj që të  mos emërojs asnjë noter deri në formimin e qeverisë së re.

“Procesi i përzgjedhjes dhe emërimit të rregullt dhe të ligjshëm të noterëve është thelbësor për të nxitur besimin që shoqëria i jep individëve që luajnë këtë rol të përgjegjshëm. Prandaj, ky proces duhet të jetë i lirë nga çdo pretendim i parregullsisë, i vërtetë ose i perceptuar”, thuhet në këtë komunikatë.

Me ardhjen e Qeverisë Kurti, procesi i noterëve ishte anuluar nga ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu.

Anulohet konkursi i shumëpërfolur për noterë

Vendimi i ministres Haxhiu ishte pezulluar në korrik të vitit 2020.

Gjykata pezullon vendimin e Albulena Haxhiut për noterët