Anulohet konkursi i shumëpërfolur për noterë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot ka anuluar procesin e përzgjedhjes së noterëve.

Rekrutimi i noterëve të rinj ishte pezulluar për shkak të dyshimeve për keqpërdorime në testin e noterisë.

KALLXO.com kishte raportuar se në mesin e kandidatëve që kishin kaluar testin me shkrim ishte edhe Gentiana Bajraktari, vjehrri i të cilës, Nehat Idrizi, kryetar i komisionit të Noterisë, i kishte përpiluar pyetjet.

Për shkak të dyshimeve për parregullsi ishte kërkuar stopimi i procesit të emërimit të noterëve të rinj.

“Unë si ministre e drejtësisë nuk mund të shtyjë përpara një proces me parregullsi dhe me humbje të besimit ku personat që i janë nënshtruar këtij procesi janë militant, anëtarë dhe familjarë të njerëzve dhe nuk mund të shtyjë përpara  një proces të tillë pasi siç e dini është duke u hetuar edhe nga prokuroria”, tha Haxhiu.

Thirrje në këtë drejtim kishte bërë edhe Zyra e BE-së në Kosovë, si dhe diplomatë të vendeve të ndryshme.

Lidhur me procesin e emërimit të noterëve ka pasur shumë reagime në publik lidhur me dyshimet se pati konflikt interesi gjatë procesit të përzgjedhjes së noterëve.

Madje ky proces u hetua edhe nga Agjencia Kundër Korrupsion.

Pas hetimit, AKK ka dalë me një opinion se gjatë procesit të emërimit të noterëve është evituar konflikti i interesit.

Dyshime të forta për keqpërdorime në testin e noterisë