Konkursi për noterë hetohet për konflikt interesi

Burime të KALLXO.com brenda Agjensionit Kundër Korrupsionit (AKK) kane konfirmuar se gjatë ditës agjensia ka kërkuar nga autoritetet e Ministrisë së Drejtësisë një raport mbi ngjarjet që ndërlidhen me konkursin e fundit për noterë.

Gazeta Jeta në Kosovë raportoi sot për dyshime për konflikt të interesit pasi kryesuesi i komisionit, Nehat Idrizi, e pranoi se i ka hartuar pyetjet e testit të cilit i është nënshtruar e reja e tij.

Raporti i kërkuar sot pritet ta sqarojë konfliktin e mundshëm të interesit në këtë proces testimi i cili ka ngjallur reagime të shumta nga kandidatët që nuk kanë mundur ta kalojnë atë, por edhe nga deputetë të Kuvendit të Kosovës.

235 kandidatët që e kanë kaluar provimin e noterisë me shkrim, nesër dhe ditëve në vazhdim pritet që t’i nënshtrohen provimit me gojë.

Provimit me shkrim për noterinë me 15 e 16 qershor i janë nënshtruar 584 kandidatë prej të cilëve 235 e kanë kaluar provimin.

Që prej momentit të publikimit të emrave të kandidatëve të cilët e kanë kaluar provimin e noterisë me shkrim, ka pasur reagime e ankesa të shumta nga palët, të cilët po pretendojnë se ky provim u mbajt me shkelje të mëdha ligjore.

Një nga kandidatët që i është nënshtruar provimit me shkrim ka raportuar në platformën KALLXO.com me pretendimin se provimi i noterisë me shkrim është përfshirë në pa rregullsi të mëdha.

“Në listë gjenden familjarë të anëtarëve të komisionit me pikë maksimale, zyrtar të Ministrisë së Drejtësisë, kandidatë të partive në pushtet, djem dhe vajza të noterëve. Ka konflikt interesi ndërmjet shumë kandidatëve dhe anëtarëve të komisionit. Prandaj mendoj që ka bazë që ky konkurs të anulohet”, është shprehur për KALLXO.com kandidati.

Edhe anëtarja tjetër e komisionit, Merita Kostanica, ka thënë se bashkërisht i gjithë komisioni i ka hartuar pyetjet e provimit “…ju njoftoj se pyetjet janë punuar nga komisioni në përputhje të plotë me udhëzimin përkatës administrativ”.

Lidhur me pyetjen se a ka paraqitur ajo deklaratë për konflikt interesi me ndonjë nga kandidatët që i janë nënshtruar provimit me shkrim, Kostanica ka thënë se nuk e ka bërë një gjë të tillë pasi që nuk ka konflikt interesi me asnjë nga kandidatët për noterë.

“Ju njoftoj se asnjë nga kandidatët për noterë, të cilët kanë kaluar provimin me shkrim, nuk është familjarë i imi; as nga familja ime, as nga familja e bashkëshortit tim. Cilido kandidat që ta ketë pasur mbiemrin njësoj si mbiemri im i vajzërisë apo mbiemri im i dytë është vetëm rastësi”, ka deklaruar Kostanica për KALLXO.com.

Por ndryshe nga Kostanica kanë deklaruar palët të cilat kanë raportuar në KALLXO.com, sipas tyre anëtarja e komisionit Merita Kostanica në pesë raste ka konflikt interesi me pesë miq e mikesha të cilët e kanë kaluar provimin.

KALLXO.com ka provuar ta kontaktojë edhe ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri, nga i cili ka kërkuar një interpretim lidhur me pretendimet e palëve por ai nuk është përgjigjur deri në publikimin e këtij artikulli.

Por më herët gjatë ditës, Tahiri ka reaguar ndaj deklaratave të deputetes së Vetëvendosjes, kryetare e Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Albulena Haxhiu, e cila në një konferencë për shtyp, kishte folur për keqpërdorime në procesin e rekrutimit të noterëve të rinj.

https://kallxo.com/ministri-tahiri-reagon-cdo-gje-reformuese-eshte-e-papranueshme-per-vv/

https://kallxo.com/vv-procesi-i-rekrutimit-te-notereve-te-rinj-eshte-i-komprometuar/

Më poshtë gjeni listën e kandidatëve të cilët e kanë kaluar provimin me shkrim.

Lista e 22 qershorit

Lista e 2 korrikut