Presidentja Vjosa Osmani i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik

Presidentja Vjosa Osmani i është nënshtruar të mërkurën një intervenimi kirurgjik.

Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës përmes një njoftimi në Facebook.

Sipas njoftimit, pas rekomandimit nga mjekët specialistë, presidentja i është nënshtruar një intervenimi të lehtë kirurgjik (heqja e tëmthit), i cili është realizuar me sukses. “Bazuar në vlerësimin dhe vullnetin e saj, gjatë ditës së djeshme, Presidentja Osmani ka bërë bartjen e përkohshme të përgjegjësive të Presidentes së Republikës tek Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca” – thuhet në njoftim.

Nga sot (3 nëntor), presidentja do të vazhdojë me ushtrimin e detyrave dhe obligimeve kushtetuese që ndërlidhen me pozitën e presidentes si dhe gradualisht do t’i kthehet angazhimeve publike.

“Gjatë kësaj periudhe, kërkojmë mirëkuptimin e medieve për të respektuar të drejtën fundamentale për privatësi të Presidentes, që është e garantuar me Kushtetutë” – thuhet në njoftim.