Foto: ZPRK

Presidentja Osmani takoi ambasadorin Szunyog dhe ekipin e Zyrës së OKB-së në Kosovë, diskutojnë për regjistrimin e popullsisë

Presidentja Vjosa Osmani sot është takuar me ambasadorin e BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe me  një ekip të Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë të udhëhequr nga Nona Zicherman.

Në takim, sipas njoftimit të Presidencës, është diskutuar për procesin e regjistrimit të popullsisë dhe miratimin e tri marrëveshjeve në kuadër të Procesit të Berlinit nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Fillimisht në takim është biseduar për finalizimin e procedurave të regjistrimi të popullsisë.

Lidhur me këtë presidentja Osmani ka thënë se procesi është në dobi të të gjitha institucioneve dhe qytetarëve.

“Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit ndërlidhur me procesin e regjistrimit të popullsisë, i cili pritet të realizohet në Kosovë gjatë këtij viti, si dhe për procedurat që duhet të finalizohen për përfundimin e suksesshëm të tij. Duke folur për rëndësinë e veçantë të këtij procesi, Presidentja Osmani u shpreh se do ta mbështesë vazhdimisht atë duke potencuar rëndësinë e realizimit të tij, si dhe faktin që statistikat e përditësuara do të kontribuojnë po ashtu edhe në sigurimin e projekteve të shumta zhvillimore. Ajo shprehu besimin se ky proces do të gjej mbështetje nga të gjitha palët, duke qenë se është në dobi të të gjitha institucioneve dhe qytetarëve”- thuhet në njoftimin e Presidencës.

Në takim presidentja Osmani ka përmendur tri marrëveshjet që duhet të ratifikohen së shpejti: Marrëveshja për liri të lëvizjes, marrëveshja për njohje të kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve në kontekstin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore dhe marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor.

“Takimi ka vazhduar me një diskutim të Presidentes Osmani me Ambasadorin Szunyog rreth miratimit të tri marrëveshjeve në kuadër të Procesit të Berlinit nga ana e Qeverisë së Kosovës” – thuhet në njoftim.

Presidentja citohet të ketë thënë se me ratifikimin e marrëveshjes për liri të lëvizjes, marrëveshjes për njohje të kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve në kontekstin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, si dhe marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor, do të avancohet dukshëm liria e lëvizjes në Ballkanin Perëndimor.