Presidentja dekreton Ahmet Ismailin guvernator të BQK-së

Presidentja, Vjosa Osmani ka dekretuar Ahmet Ismailin, si guvernator të ri të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Osmani ka uruar Ismailin për pozitën e re ndërsa i ka dëshiruar suksese në realizimin e përgjegjësve, thuhet në një njoftim të Presidencës.

“Sipas Presidentes Osmani, Kushtetuta, ligjet, integriteti dhe profesionalizmi duhet të jenë udhërrëfyes përgjatë punës në institucionet shtetërore”-vijon njoftimi.

Më tej theksohet se Ismaili ka prezantuar vizionin e tij për BQK-në, “si dhe nxitjen e rritjes së qëndrueshme të bazuar në përkushtimin ndaj shërbimit publik, efikas dhe transparent.”

Kuvendi i Kosovës më 13 korrik votoi Ahmet Ismaili për Guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës.  Presidenca ishte në pritje për të dekretuar Ismailin pasi që çështja ishe dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

“Pas ngritjes se çështjes në Gjykatën Kushtetuese nga ana e deputetëve të Kuvendit mbi kushtetutshmërinë e tërë seancës, e rrjedhimisht edhe vendimeve të marra në të,  (ku ndër të tjera është votuar kandidati për guvernator), Presidenca është në pritje të sqarimit nga Gjykata Kushtetuese nëse ekziston masë e përkohshme për të gjitha vendimet e nxjerra nga Kuvendi, përfshirë edhe atë për guvernatorin”- kishte thënë Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidencës.

KALLXO.com ka raportuar se konkursi i dytë për Guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës nga i cili më të poentuarit ishin Ahmet Ismaili dhe Lulzim Ismajli ishte hapur pa u anuluar konkursi i parë dhe pa shkuar për votim rekomandimi i Komisionit për Buxhet në Kuvendin e Kosovës.

Konkursi i parë për Guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës ishte monitoruar edhe nga britanikët.

Në listën e monitoruesve britanik, Shkëndije Himaj ishte renditur e para ndërsa pjesë e listës së ngushtë ishin edhe Ahmet Ismaili, Lulzim Ismajli dhe Nexhat Kryeziu.

Gjatë mbledhjes së Komisionit për Buxhet në lidhje me listën e kandidatëve për Guvernator në konkursin e dytë, deputetët kanë kërkuar sqarime nga komisioni vlerësues me në krye kryetarin e bordit të BQK-së, Bashkim Nurboja i cili përkohësisht ushtron edhe detyrën e Guvernatorit.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica ka pyetur nëse ka një vendim për anulim të konkursit të parë.“Ne vetëm e kemi shpallur konkursin në bazë të rekomandimeve nga ky komision. Nuk e kemi anuluar, vetëm e kemi shpallur. Ne kemi menduar që me rekomandimin e juaj është mbyllur” – ka thënë kryetari i bordit të BQK-së, Bashkim Nurboja.

Më 7 prill 2023, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere i kishte rekomanduar Kuvendit që konkursi i parë për zgjedhjen e guvernatorit të kthehej në pikën zero.

“Komisioni në bazë të nenit 110 të rregullores kërkon nga Kuvendi ta njoftojë BQK-në si propozues për mos përmbushje te kushteve sipas ligjit të këtij konkursi”- kishte thënë Armend Muja, kryetar i Komisionit.Pika 4 e nenit 110 të rregullores së Kuvendit thotë se “në rastin kur kandidatura nuk i plotëson kushtet sipas ligjit, komisioni kërkon nga Kryetari i Kuvendit ta njoftojë institucionin propozues për mos përmbushjen e kushteve”.

Por, ky rekomandim i votuar në këtë komision nuk ka shkuar për votim në Kuvendin e Kosovës.

Pavarësisht kësaj, BQK kishte hapur konkursin e dytë për Guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës.

Ish-guvernatori Mehmeti kërkon nga presidentja Osmani të mos dekretojë guvernatorin e ri