Presidenti ukrainas Zelensky do të marrë pjesë në Samitin G7 në Japoni

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pjesa tjetër e ekonomive kryesore të Grupit të Shtatë do të shpallin sanksione të reja dhe kontrolle të eksporteve që e kanë si target Rusinë, tha një zyrtar amerikan përpara samitit të G7 në Japoni.

Përpjekjet e fundit të G7 kanë për qëllim pengimin e aftësisë së Rusisë për t’i marrë materialet e nevojshme për fushëbetejë, mbylljen e zbrazëtirave të përdorura për t’iu shmangur sanksioneve, reduktimin e mëtejshëm të mbështetjes ndërkombëtare në energjinë ruse dhe ngushtimin e qasjes së Moskës në sistemin financiar ndërkombëtar, u tha zyrtari gazetarëve të enjten.

Presidenti Volodymyr Zelensky do të udhëtojë në Japoni për G7, ka thënë një zyrtar ukrainas i sigurisë për televizionin shtetëror sipas një raporti të Reuters.

“Gjëra shumë të rëndësishme do të vendosen atje, prandaj, prania e presidentit tonë është absolutisht thelbësore për të mbrojtur interesat tona”,  ka deklaruar Oleksiy Danilov, sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës.

Mbretëria e Bashkuar zbuloi një sërë sanksionesh të reja përpara takimit të lartcekur. Kryeministri britanik, Rishi Sunak, njoftoi një ndalim në Mbretërinë e Bashkuar për importet e diamanteve ruse dhe bakrit, nikelit dhe aluminit me origjinë ruse. Sunak gjithashtu ka një mision të vetëdeklaruar për ta shtyrë Indinë të tregojë mbështetje më të madhe për Ukrainën.

Pentagoni e ka mbivlerësuar vlerën e municioneve, raketave dhe pajisjeve të tjera që i dërgoi Ukrainës me rreth 3 miliardë dollarë, i tha Reuters të enjten një ndihmës i Senatit dhe një zyrtar i mbrojtjes, një gabim që mund të hapë rrugën për dërgimin e më shumë armëve në Kiev për mbrojtje kundër forcave ruse.

Jack Teixeira, anëtari i gardës kombëtare ajrore të SHBA-së i akuzuar se qëndron prapa të ashtuquajturës rrjedhje të informacionit nga Pentagoni, u paralajmërua vazhdimisht për keqpërdorimin e materialeve të klasifikuara, tregojnë dokumentet e gjykatës. Dokumentet e zbuluara duket se japin detaje mbi ndihmën e SHBA-së dhe NATO-s për Ukrainën dhe tregojnë detaje tjera në kohë reale nga shkurti dhe marsi i pozicioneve të fushëbetejës së Ukrainës dhe Rusisë dhe sasitë e pajisjeve të fushëbetejës që rrjedhin në Ukrainë nga aleatët e saj.

Ministri britanik i mbrojtjes, Ben Wallace, ka deklaruar se Ukraina ka përdorur raketat me rreze të gjatë Storm Shadow të ofruara nga Britania. Ai tha gjithashtu të enjten se nuk ka asnjë dyshim se Rusia e ka “qëllimin dhe aftësinë” për t’i shënjestruar linjat nënujore të energjisë dhe komunikimit të Perëndimit.

Rusia ka sulmuar ​​përsëri Kivein me raketa gjatë natës, kanë njoftuar autoritetet ukrainase. Ishte hera e nëntë këtë muaj që sulmet ajrore ruse kanë shënjestruar kryeqytetin, një përshkallëzim i qartë pas javësh qetësie dhe përpara një kundërofensive të shumëpritur ukrainase.

Korridori i grurit në Detin e Zi, i krijuar për të siguruar furnizimin e sigurt të ushqimit ukrainas në tregjet botërore, nuk e ka rifilluar ende funksionimin, pavarësisht deklaratave të Turqisë dhe Rusisë për zgjatjen e marrëveshjes, ka deklaruar të enjten një zyrtar i lartë ukrainas. Marrëveshja e lartcekur është zgjatur për dy muaj të mërkurën.

Kremlini zyrtar e ka konfirmuar se një delegacion nga vendet afrikane që shpresojnë ta paraqesin iniciativën e tyre për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë do ta vizitojë Moskën. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Moska do të jetë e gatshme ta dëgjojë “çdo propozim” që ndihmoi në zgjidhjen e konfliktit./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala