Presidenti francez i kërkon kryeministrit izraelit armëpushim të qëndrueshëm në Gaza

Presidenti francez Emmanuel Macron ka kërkuar një “armëpushim të qëndrueshëm” në Gaza gjatë një telefonate me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë zyra e tij, pasi një krizë humanitare në përshkallëzim ka përfshirë territorin palestinez.

“Franca do të punojë në ditët e ardhshme në bashkëpunim me Jordaninë për të kryer operacione humanitare në Gaza”- thuhet në deklaratën e presidencës franceze.

Zyra Humanitare e OKB-së (OCHA) ka paralajmëruar se shkalla dhe intensiteti i operacioneve tokësore dhe luftimeve në Gaza po e pengon dërgimin e ndihmave për ata që kanë nevojë. Të mërkurën, OCHA tha se operacionet humanitare “po përballen me sfida në rritje operacionale për shkak të armiqësive të intensifikuara, pasigurisë, rrugëve të bllokuara, mungesës së karburantit dhe komunikimeve minimale”.

Të paktën 21,110 palestinezë janë vrarë nga aksioni ushtarak izraelit në Gaza që nga 7 tetori, sipas shifrave të publikuara të mërkurën nga ministria e shëndetësisë e udhëhequr nga Gaza. Kjo ministri raportoi se 55,243 njerëz janë plagosur ndërkohë që 195 njerëz janë vrarë dhe 325 janë plagosur në 24 orët e fundit.

Shefi ushtarak i Izraelit, Herzi Halevi, ka thënë se forcat e tij janë “në një nivel shumë të lartë gatishmërie” mes përshkallëzimit të sulmeve të Hezbollahut nga Libani. Ministri izraelit i kabinetit të luftës, Benny Gantz, ka deklaruar se situata në kufirin verior të vendit “kërkon ndryshim”, duke shtuar se koha për diplomacinë “po mbaron”. Hezbollahu pretendoi të mërkurën në mëngjes se kishte lëshuar 18 raketa në Izrael nga Libani. Ushtria izraelite ka thënë se ka kapur disa nga raketat.  

Shërbimet e telekomunikacionit dhe internetit po rikthehen gradualisht në Gaza qendrore dhe jugore, tha të mërkurën ofruesi palestinez i shërbimit telefonik, Paltel. Shërbimet e telefonit dhe të internetit pësuan një “dëmtim të plotë” të martën që ishte “për shkak të ofensivës së vazhdueshme”, tha ai.

Udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se banorët e Gazës përballen me “rrezik të madh”. Në një deklaratë të mërkurën, OBSH tha se ekipet e saj kanë ndërmarrë misione “me rrezik të lartë” për t’i ofruar furnizime në spitalet në veri dhe jug të Gazës.

Izraeli i është përgjigjur me shumë frustrim komenteve të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, që e krahason Benjamin Netanyahun me Adolf Hitlerin. Duke folur në një ceremoni çmimesh në Ankara, Erdogan tha se kryeministri izraelit nuk është i ndryshëm nga Hitleri dhe i krahasoi sulmet e Izraelit në Gaza me trajtimin e popullit hebre nga nazistët. Netanyahu u përgjigj duke thënë se presidenti turk duhet të jetë personi i fundit që do t’i japë leksione Izraelit. Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, ka thënë se komentet e Erdoganit janë “thellësisht fyese” për hebrenjtë në mbarë botën./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala