Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Premtimet e Partisë së Re Demokratike për politikën e jashtme

Të ftuarit në emisionin #Debat Pernime debatuan për politikë të jashtme. Përfaqësuesit e partive të cilët ishin pjesë e debatit, LDK, NDS, LVV shpalosën programet e tyre qeverisëse dhe kërkesat tyre për politikë të jashtme.

Edhe pse për këtë debat janë ftuar edhe përfaqësuesit e PDK-së, Nismës Socialdemokrate, AAK-së në këtë përballje të programeve politike në temat e trajtuara, ata e kanë refuzuar ftesën.

Përfaqësuesja e Partisë së Re Demokratike (NDS) në këtë debat ishte Emilia Rexhepi, e cila shpalosi programin qeverisës për politikë të jashtme për zgjedhjet e 14 shkurtit.

  • Emilia Rexhepi (NDS)

– Qëndrimi i Partisë së Re Demokratike është vendosja, normalizimi i marrëdhënieve me të gjithë fqinjët tanë në rajon, të qenit të hapur në rajon, si dhe rruga drejt Bashkimit Evropian.

– Ajo që është tejet e rëndësishme për ne është që politika e jashtme e Kosovës ka të bëjë me pranimin e pavarësisë nga shtetet që nuk na kanë njohur, pra që këtu të vëmë theksin. Kemi mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe vazhdojmë në përputhje me këtë.

– Nëse duam paqe, siguri e rend në shtetin tonë, duhet të fokusohemi te zhvillimi ekonomik, qarkullimi i lirë i mallrave dhe shërbimeve në rajon, si dhe duhet të ndërtojmë qeverinë e ardhshme vetëm me këto qëllime parasysh.

– Normalizimi i marrëdhënieve dhe vendosja e dialogut është me rëndësi prioritare për shtetin tonë, si dhe përgjithësisht, është funksionim normal i një shteti nëse keni raporte të mira ekonomike me të gjitha shtetet në rajon.

– Përvoja ime shumëvjeçare dhe veprimtaria ime politike në parlament, e më vonë edhe në qeveri, ka treguar që një praktikë e jona po ashtu afatgjate është që të vëmë më shumë theks tek ajo se kush do të negociojë, e si do të negociojë, e jo te mënyra, me dokumentin, me të cilat do të negociojmë.

– Ambasadorja jonë në Izrael do të jetë Ines Demiri, fqinja ime nga Prizreni, si dhe e di që do ta ushtrojë atë funksion në mënyrë profesionale.

– Të koncentrohemi në këto 5 shtete evropiane të cilat nuk na kanë njohur, që me diplomacinë tonë t’i bindim që jemi shtet që i zbaton të gjitha parimet, që jemi shtet që mund të plotësojë të gjitha standardet e Bashkimit Evropian, si dhe që thjesht jetojmë në zemër të Evropës. Të fokusohemi te çështja që këto shtete të na pranojnë, e Serbia kur të dojë, kurdoherë do të na pranojë.

– Nëse duam të jemi konstruktivë, nëse duam të shohim të ardhmen me komunitetin shumicë shqiptar, gjithmonë duhet të gjendet fleksibiliteti brenda bisedimeve. Çdo gjë që është në kuadër të institucioneve të Kosovës si dhe me ligjet e Republikës së Kosovës, natyrisht që duhet respektuar. Ne përfaqësojmë qëndrimin e një komune ku do të ketë popullatë shumicë boshnjake, e jo, assesi në kuadër të institucioneve paralele, e aq më pak në kuadër të asociacionit të komunave serbe.

– Demarkacioni me Republikën e Malit të Zi për mua është proces i përfunduar. Theksi ynë si Qeveri, përkatësisht si shtet, duhet të vihet te demarkacioni me Republikën e Serbisë.

– Për aq sa kam përvojë unë, edhe në parlament, edhe në qeveri, rrallë ka ndodhur që ndonjëri prej ambasadorëve tanë ka mbajtur ndonjë panair të produkteve tona në ndonjërin prej vendeve të Evropës, ku gjithsesi që kemi se çfarë të paraqesim botës, të gjitha ato… Tani, nuk jemi vend krejtësisht i pazhvilluar. Kur mbahen takime me Republikën e Shqipërisë, edhe kur mbahen takime me Republikën e Maqedonisë, jo vetëm që të jetë kjo pjesë e marketingut për media, por thjesht të obligohen tregtarët nga të dyja anët, që të plasojnë produktet përkatëse në ato vende.

 

Pjesë e debatit ishin: Valon Murtezaj nga LDK, Emilia Rexhepi nga NDS dhe Haki Abazi nga LVV.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Debati transmetohet çdo mbrëmje në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.