Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Premtimet e LDK-së për kulturë, rini dhe sport

Të ftuarit në emisionin #Debat Pernime debatuan për kulturë, rini dhe sport. Përfaqësuesit e partive të cilët ishin pjesë e debatit, AAK, LDK, Partia e Re Demokratike (NDS) shpalosën programet e tyre qeverisëse për kulturë, rini e sport.

Edhe pse për këtë debat janë ftuar edhe përfaqësuesit e PDK-së, Nismës Socialdemokrate, LVV-së në këtë përballje të programeve politike në temat e trajtuara, ata e kanë refuzuar ftesën.

Përfaqësuesit e LDK-së në këtë debat ishin Fahredin Spahija dhe Avdi Pireva, të cilat shpalosën programin qeverisës për kulturë, rini dhe sport për zgjedhjet e 14 shkurtit.

  • Fahredin Spahija (LDK)

– Të investohet në masë të madhe në trashëgiminë kulturore të Kosovës, arsimimin e brezave të rinj në aspektin artistik, skenën e pavarur të Kosovës, infrastrukturën fizike të institucioneve të kulturës në Kosovë.

– Buxheti për kulturë të rritet nga viti në vit, kjo mundëson rritjen e buxhetit edhe për filmin. Meqë është 35 milionë euro, të paktën 10 milionë euro më shumë çdo vit. Buxheti për QKK-në të dyfishohet.

– Ndërtimi i një varg muzeve, Muzeu i Artit Bashkëkohor, Muzeu Arkeologjik, Muzeu i Historisë së Natyrës dhe Muzeu i Luftës dhe Paqes. Do të ketë prioritet Muzeu i Luftës dhe Paqes ku do të pasqyrohen përpjekjet për liri. 4 muzetë do të përfundojnë brenda mandatit.

– Është paraparë edhe konservimi dhe ruajtja e begatisë kulturore në Kosovës, në kuadër të kësaj edhe të trashëgimisë së luftës ku hyn edhe Memoriali “Adem Jashari” në Prekaz dhe memorialët e tjera. LDK do të tentojë të krijojë një inspektorat për konservimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

– Edukimi artistik në shkolla publike dhe jopublike. Kjo do të ndikojë në interesin e tyre në artet skenike dhe pamore.

  • Avdi Pireva (LDK)

– Përfshirja e parimeve, masivizimi dhe sporti për të gjithë.

– Kodi i etikës sportive.

– Parandalimi i dhunës në sport dhe huliganizmit.

– Kontrolli i antidopingut.

– Ngritja e kapaciteteve njerëzore dhe infrastrukturore. Profesionalizimi i trajnerëve, referëve dhe pedagogëve.

– Në kuadër të Qendrës Kombëtare për Sportin, ta ndërtojmë qendrën më moderne të xhudos, Stadiumin Kombëtar, pishina të hapura, pishina të mbyllura, pishina olimpike e gjysmë-olimpike, zyrat për Komitetit Olimpik dhe në atë pjesë do të jetë dhe Fakulteti i Edukimit Sportiv. Këto janë investime që do të bëhen në 4 vitet e ardhshme. Do t’i jepet prioritet Qendrës së Xhudos dhe Stadiumit Kombëtar.

– Sporti të fillojë që nga mosha parashkollore, do të jetë edhe programi fillor, i mesëm dhe universitar. Do të krijohen kushte dhe mundësi duke u ngritur kapacitetet profesionale. Kjo do të bëhet përmes garave.

– Stadiumi kombëtar do të ndërtohet në Bernicë në kuadër të Qendrës Kombëtare të Sportit, ku do të ketë edhe hotel me 5 yje, mjekësi sportive për hulumtime antropologjike, diagnostikimin e sportistëve. Në pjesën e dytë të mandatit ta fillojmë dhe ta përfundojmë në mandatin e dytë, brenda 6 viteve.

– Ne kemi në plan edhe 4 stadiume të tjera të kategorisë së katërt, në 5 qendrat më të mëdha të Kosovës, njëri ndër ta do të bëhet në mes të Drenasit dhe Prishtinës, në Korreticë. Ne e kemi Ligjin për partneritet publiko-privat, do t’ua japim partnerëve tanë që do të investojnë në këto stadiume.

– Në program e kemi paraparë edhe avancimin e minoritetet dhe kyçjen e tyre në të gjitha sportet. Kemi planifikuar që në secilin stadium në ekrane të ketë dygjuhësi për minoritetet.

Pjesë e debatit ishin: Burbuqe Bakija – Deva nga AAK, Fahredin Spahija dhe Avdi Pireva nga LDK dhe Anesa Çolakoviq nga NDS.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra është mbajtur gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Debati është transmetuar çdo mbrëmje në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.