Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Premtimet e LVV-së për politikë të jashtme

Të ftuarit në emisionin #Debat Pernime debatuan për politikë të jashtme. Përfaqësuesit e partive të cilët ishin pjesë e debatit, LDK, NDS, LVV shpalosën programet e tyre qeverisëse për politikë të jashtme.

Edhe pse për këtë debat janë ftuar edhe përfaqësuesit e PDK-së, Nismës Socialdemokrate, AAK-së në këtë përballje të programeve politike në temat e trajtuara, ata e kanë refuzuar ftesën.

Përfaqësuesi i LVV-së në këtë debat ishte Haki Abazi, i cili shpalosi programin qeverisës për politikë të jashtme për zgjedhjet e 14 shkurtit.

  • Haki Abazi (LVV)

– Minishengeni dhe tjerat zotime që janë bërë në kohën elektorale janë gjëra të cilat duhet të rishikohen në një nivel tjetër diplomatik me ShBA-në me administratën Biden. Minishengeni, ndërrimi i emrit të Ujmanit, moratoriumi bien në ujë vetvetiu si marrëveshjet e tjera që ka bërë presidenti Trump.

– Serbia nuk do të bëhet hisedar i kapaciteteve energjetike. Kosova ka financuar Ujmanin dhe do të mbetet hisedare e vetme e kapaciteteve energjetike.

– Ne do të aplikojmë diplomaci të mençur dhe inovative, marrëdhënie shumë të forta me Shqipërinë, BE-në, shtetet e BE-së dhe ShBA-në. Do t’i përgjigjemi të gjitha sfidave të mundshme sa i përket tejkalimit të barrierave por duke u fokusuar te çështjet e brendshme. Fokusi ynë është punët e shtëpisë dhe mandej partneriteti strategjik me ShBA-në, BE-në dhe Shqipërinë.

– Me Kushtetutë dhe me interpretimin e Gjykatës Kushtetuese është e qartë që kryeministri udhëheq me dialogun dhe negociatat.

– Platforma e dialogut do të përfshijë edhe marrëveshjet e nënshkruara deri tani. Marrëveshjet e nënshkruara janë pjesë e rishqyrtimit të pozicionit të Kosovës. Këto çështje do të ngriten në prezencë të ndërmjetësuesve. Ne do të këmbëngulim që të jenë prezent ShBA dhe BE. Nuk do të flitet për Kosovën, çështjet e brendshme të Kosovës, por për ato që janë të hapura mes Serbisë dhe Kosovës, çështjet e të pagjeturve, krimet e luftës, vjedhjet dhe dëmtimet e ekonomisë. Nuk do të hyjmë në një proces që do të zgjasë pafundësisht, do të kërkojmë një afat kohor.

– Është një prej çështjeve më komplekse. Izraeli është shtet mik për Kosovën. Kjo miqësi është vendosur në fushatë elektorale. Qëndrimi i BE në lidhje me pozicionin e ambasadës është shumë i rëndësishëm. Mendoj që Qeveria Kurti do të ulet të bisedojë me Izraelin dhe BE-në për zgjidhur nyjën që është kriju pa nevojë. Është dëm i madh që Qeveria jolegjitime i ka krijuar Kosovës.

– Do të rikrijojmë Ministrinë e Integrimit Europian. Të kemi përfaqësues profesional, diplomat me përgatitje për t’iu qasur , do të aktivizojmë instrumente të tjerë, artistë, sportistë, profesorë, për të bërë lidhjen me vendet që nuk na kanë njohur.

– Strategji për mbledhjen e faturave të veriut dhe të vazhdohet në formën e unifikuar, këtë do ta bëjmë sapo të kthehemi në Qeveri. Nëse serbët jug paguajnë nuk asnjë arsye që serbët në veri të mos e paguajnë. Serbët në veri do të paguajnë për atë që e shpenzojnë.

– Do të avancojmë bashkëpunimin e Shqipërinë që të funksionalizohet tregu i përbashkët Shqipëri – Kosovë. Kemi interes strategjik të rikthejmë mirëbesimin dhe qarkullimin e mallrave dhe njerëzve me Bosnje dhe Hercegovinën.

– Demarkimi me Malin e Zi është bërë në kurriz të Kosovës. Një prej çështjeve bilaterale me Malin e Zi do të jetë rishikimi i saj. Kufiri është vendosur për 8 mijë hektarë brenda territorit të Kosovës.

– Masat e reciprocitetit janë të domosdoshme me vendet që duan shkëmbim të barabartë të mallrave. Duhet të bëjmë reformë që ta kemi të sigurt kualitetin.

– Aplikimi i parë në organizata ndërkombëtare do të bëhet menjëherë posa të vijmë në pushtet se nuk ka sovranitet me episode. Nuk mund të heqim dorë nga sovraniteti për qejf të askujt. Nuk do të ketë qeveri pas 14 shkurtit që nuk do të vazhdojë argumentimin e të drejtës për aplikim në organizata ndërkombëtare.

– Duhet të kemi misione diplomatike që e përçojnë interesin ekonomik, politik kombëtar, të zvogëlojmë misionet diplomatike që janë duke bërë qejf. Do t’i kthejmë ambasadat dhe shërbimeve diplomatike në shërbime për njerëzit e mërgatës.

 

Pjesë e debatit ishin: Valon Murtezaj nga LDK, Emilia Rexhepi nga NDS dhe Haki Abazi nga LVV.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Debati transmetohet çdo mbrëmje në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.