barrikada

Barrikada e krijuar në fshatin Rudarë (13 dhjetor 2022), Foto: KALLXO.com

Policia: Situatë e njëjtë në veri, pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak janë ende të mbyllura

Policia e Kosovës ka thënë se edhe sot situata e sigurisë në veri të vendit vazhdon të jetë e njëjtë, që nga vendosja e barrikadave nga grupet kriminale.

Përmes një komunikate për media, Policia ka bërë të ditur se pikat kufitare Jarnije dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe sot.

“Pavarësisht akteve kriminale dhe sulmeve të raportuara ndaj personelit të sigurisë, personelit monitorues ndërkombëtar dhe mediave, Policia e Kosovës vazhdon të mbetet vigjilente dhe e angazhuar në nivelin dhe moralin më të lartë të kryerjes së detyrave kushtetuese dhe ligjore, në interes të sigurisë së përgjithshme” – thuhet në komunikatën e Policisë.

Po ashtu, Policia ka bërë të ditur se me kohë ka ndërmarrë masat e nevojshme mbështetëse dhe logjistike, përfshirë veshmbathjen dhe ushqimin për personelin e saj në detyrë.

“Policia e Kosovës e bazon punën në vlerat e saja si profesionalizmi, përgjegjësia dhe integriteti, në kuadër të të cilave ofron siguri dhe trajton të gjithë qytetarët pa dallime, andaj spekulimet e vazhdueshme nga mediat, kryesisht serbe, se gjoja zyrtarët policorë në veri të vendit kanë sjellje jo të mira, të vrazhda dhe jomiqësore ndaj komunitetit serb, nuk qëndrojnë dhe janë të pavërteta” – thuhet në fund të komunikatës.

Barrikadat në fshatin Rudar të Zveçanit. Foto: Adelina Ahmeti, KALLXO.com.

Serbët lokal të veriut të Kosovës që nga e shtuna e 10 dhjetorit kanë vendosur barrikada në rrugët që të dërgojnë për në kufi me Serbinë. Kjo erdhi pasi që Policia e Kosovës arrestoi një ish polic serb, i dyshuar për organizim të sulmeve ndaj zyreve të KQZ-së në Mitrovicën e Veriut, incident që ndodhi ditë më parë.