Plagosja në Podujevë, Foto: KALLXO.com

Policia për rastin në Podujevë: Janë arrestuar dy të dyshuar, dy të tjerë në arrati

Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Podujevë.

Sipas Policisë së Kosovës, ky rast ka qenë përleshje në mes të dy familjeve dhe ka ndodhur  në orën 15:42.

Policia ka njoftuar se si pasojë e të shtënave me armë zjarri lëndime trupore ka pësuar një i dyshuar i cili vazhdon trajtimin mjekësor në QKUK, pastaj si pasojë e xhamave të thyer lëndime kanë pësuar edhe dy burra që ishin kalimtarë të rastit, të cilëve iu është ofruar tretman mjekësor e më pas janë liruar për në shtëpi.

Se nga Podujeva janë sjellë tre të plagosur e ka konfirmuar dje për KALLXO.com edhe drejtori i Emergjencës së QKUK-së , Naser Syla i cili ka konfirmuar trajtimin e tre personave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës pas plagëve të marra në këtë incident.

Tutje, Policia e Kosovës ka njoftuar se njësitë relevante policore kanë dalur në vendin e ngjarjes, kanë arrestuar dy burra të dyshuar , ndërsa edhe dy të dyshuar janë në arrati.

“Me vendim të prokurorit të dyshuarve iu caktohet masa e ndalimit, njëri i dyshuar është dërguar në qendrën e mbajtjes ndërsa tjetri vazhdon trajtimin në QKUK nën sigurimin e policisë. Rasti vazhdon të hetohet nga njësitet kompetente policore”- thuhet tutje në njoftimin e policisë.

Gjatë ditës së djeshme KALLXO.com ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes, ku shihet reagimi i shpejtë i Policisë dhe ambulanca.

Po ashtu, këto pamje shfaqin që një person ka qenë i shtrirë në tokë dhe se Policia ka arritur që ta arrestojë një person.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.