Plagosja në Podujevë, Foto: KALLXO.com

Drejtori i Emergjencës së QKUK-së: Nga Podujeva janë sjellë tre të plagosur

Tre persona janë duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës pas plagëve të marra në një incident me armë zjarri që ka ndodhur sot në Podujevë.

Gjendja e të plagosurve për momentin është stabile.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, drejtori i Emergjencës së QKUK-së , Naser Syla.

“Tre të plagosur janë, gjendja e tyre është stabile për momentin, dy janë jashtë rrezikut për jetë, një është më në rrezik por në gjendje stabile”-ka thënë ai.

Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur sot në Podujevë.

KALLXO.com ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes, ku shihet reagimi i shpejtë i Policisë dhe ambulanca.

Pamjet shfaqin që një person ka qenë i shtrirë në tokë dhe se Policia ka arritur që ta arrestojë një person.

Zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci ka thënë se të plagosuri janë dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Sipas Borovcit, sot rreth orës 16:00, policia ka pranuar informata për rastin dhe menjëherë njësitet e nevojshme kanë dalë në vendngjarje.

“Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para dyshohet se dy persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit” – ka thënë ai.

Tutje, zëdhënësi tregoi se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Nuhi Gashi” në Podujevë dhe se policia ka vazhduar me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes.

Policia jep detaje për plagosjen në Podujevë