Policia në Ferizaj mban takim me argjendarët, i premton masa të shtuara për mbrojtjen e tyre

Dy ditë pas grabitjes së një argjendarie në Prizren ku dhe mbetën dy persona të plagosur, Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka mbajtur një takim me pronarët e argjendarive në këtë qytet.

Në këtë takim është diskutuar situata e sigurisë në rajon.

“Situata e sigurisë është vlerësuar e qetë në rajonin e Ferizajt”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje u tha se në këtë takim është paraqitur nevoja që të shtohen aktivitetet dhe masat e policisë rreth dyqaneve të argjendarive në Ferizaj.

“Kjo për shkak të parandalimit të incidenteve kriminale, vjedhjeve të rënda dhe grabitjeve”, thanë ata.

Sipas këtij njoftimi, drejtori i Policisë së Ferizajt, Basri Shabani, i ka siguruar pronarët e argjendarive duke i treguar se masat e policisë do të jenë të shtuara.

“Policia ka hartuar planin operativ me masa të shtuara të policisë në terren dhe operacionet e policisë do të zhvillohen në të gjitha komunat e rajonit: Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani Elezit”, thuhet tutje.