Të dyshuarit për tentim-grabitjen në Prizren i marrin me forcë një qytetari veturën dhe largohen

Një tentim-grabitje ka ndodhur sot rreth orës 17:00 në një argjendari në rrugën “Adem Jashari” në Prizren.

Në këtë incident janë plagosur dy persona. KALLXO.com ka marrë vesh se të plagosurit janë pronarët e biznesit.

Tre të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë me të cilën kishin ardhur te argjendaria.

Sipas Policisë, të dyshuarit ia kanë vënë flakën veturës në dalje të qytetit.

Sipas zëdhënësit të Policisë Rajonale të Prizrenit, Vesel Gashi, të dyshuarit pasi i kanë vënë flakën veturës me të cilën kishin ikur nga vendi i ngjarjes e kanë ndalur një veturë, nga e cila me forcë e kanë nxjerrë pronarin dhe kanë ikur në drejtim të Suharekës.

Gashi tha për KALLXO.com se shumë njësi policore janë vënë në kërkim të të dyshuarve.