Policia jep detaje për grabitjen e armatosur në Termocentralin ‘Kosova A’

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është duke e hetuar grabitjen me armë që ndodhi një natë më parë në Termocentralin “Kosova A” në Obiliq.

KALLXO.com ka raportuar mbrëmë për grabitjen e armatosur, për të cilën Policia njoftoi se mbrëmë rreth orës 18:00, kanë pranuar raportim nga një punëtor i KEK-ut lidhur me grabitjen.

Arkëtari kishte deklaruar në Polici  se dy persona të maskuar dhe të armatosur, njëri me revole dhe tjetri me një thikë, e kanë sulmuar dhe i kanë grabitur 600 euro.

Ndërkaq, Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka dhënë detaje për grabitjen në fjalë.

“Viktima ka informuar se dy persona të maskuar dhe nën kërcënim të armëve i kanë grabitur para të gatshme, dy telefona mobil dhe dy kartela të bankës”, thuhet në raport.

Sipas PK-së, viktima ka pranuar tretman mjekësor, kurse rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente policore.

Grabitje me armë në termocentralin Kosova A , sulmohet punëtori