Policia gjen veturën e cila dyshohet se u përdor gjatë grabitjes në Suharekë

Policia e Kosovës ka gjetur sot veturën e cila dyshohet se është përdorur gjatë grabitjes në Suharekë, që ndodhi pasditen e 22 nëntorit.

Burime brenda Prokurorisë kanë treguar për KALLXO.com se vetura është gjetur gjatë ditës së sotme.

Sipas informacioneve, vetura ka pasur dëmtime për shkak se është gjetur e hedhur në një humnerë.

Në ndërkohë, lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.

Ai ka bërë të ditur se vetura është gjetur në fshatin Jezerc.

“Mund të konfirmojmë se sot, në orët e pasditës pas hetimeve të zhvilluara, në fshatin Jezerc është gjetur vetura e cila dyshohet se ishte përdorur në rastin e grabitjes në Suharekë. Njësitet relevante policore janë duke kryer ekzaminimin e veturës, për të vazhduar me konfiskimin dhe procedurat e mëtejme hetimore” – ka thënë Kelani për KALLXO.com.

Një grabitje e armatosur ndodhi të martën më 22 nëntor, në një argjendari në qytetin e Suharekës. Grabitja, sipas filmimeve që u shpërndanë nëpër media, u krye nga 4 persona të maskuar, ndërsa si pasojë e gjuajtjeve me armë u plagosën dy policë.

Policia jep detaje për rastin e grabitjes së armatosur në Suharekë