Policia deklarohet për vendosjen e stacionit për kufitarët në Bërnjak

Policia e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me vendosjen e stacionit kufitar në Bërnjak.

Sipas policisë, vendosja e këtyre kontejnerëve është bërë me arsyen se zyrtarët policorë në këtë pikë kufitare kanë punuar në kushte jo të mira.

“Referuar nevojës së përmirësimit të kushteve të punës për zyrtarët policorë të kufirit në Bërnjak, të cilët kanë punuar në kushte jo të mira, sot Policia e Kosovës ka dërguar pajisje logjistike dhe kontejnerë, të cilat do të ju shërbejnë zyrtarëve policorë të policisë kufitare për kryerjen e detyrave policore, në interes të ofrimit të sigurisë për qytetarët dhe sigurisë publike”, thuhet në komunikatën e policisë duke shtuar se Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj në realizimin e detyrave policore në shërbim të qytetarëve dhe vendit.

Gjithashtu, sipas policisë, ky operacion i orëve të hershme të mëngjesit është bërë për të ofruar siguri për qytetarët e Kosovës.

“Policia e Kosovës, bazuar në detyrat dhe autorizimet e saj ligjore çdo herë ndërmerr veprimet e nevojshme policore për ofrimin e sigurisë si dhe ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në nivel vendi. Këto veprime realizohen përmes njësiteve të ndryshme policore, andaj me qëllim të krijimit të hapësirave dhe kushteve më të mira për punë në ambientet policore, Policia e Kosovës në vazhdimësi planifikon përmirësimin e kushteve të punës dhe ngritjen e kapaciteteve logjistike”, thuhet në komunikatën e Policisë.