Ilustrim

Policia arreston një 18 vjeçar nën dyshimin për vrasje në tentativë në Zllatar të kryeqytetit

Të dielën policia në Prishtinë ka arrestuar 18 vjeçarin E. F. i dyshuar për veprën vrasje në tentativë në Zllatar të Prishtinës më 26 qershor të këtij viti.

Arrestimi i tij ishte bërë pas veprimeve operative më ç’rast edhe ishte lokalizuar i dyshuari.

“Dje nga zyrtarët e njësisë së hetimeve të përgjithshme të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, është arrestuar një person i dyshuar për rastin vrasje në tentativë të ndodhur më datë 26.06.2023 rreth orës 17:00, në fshatin Zllatar të komunës së Prishtinës. Arrestimi i të dyshuarit erdhi si rezultat i ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme operativo-policore me ç’ rast policia lokalizoi dhe arrestoi të dyshuarin”- thuhet në njoftim.

​Sipas policisë, ndaj të dyshuarit me autorizimin e prokurorit të shtetit është iniciuar hetim në drejtim të veprave penale “Vrasja në Tentativë, bashkëkryerja” si dhe  “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.

“I njëjti me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit u dërgua në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh”- thuhet tutje në njoftim.