Polica e Kosovës gati për zbatimin e reciprocitetit për letërnjoftime ndaj Serbisë

Policia e Kosovës ka njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për zbatimin e vendimit të Qeverisë, i cili ka të bëj me kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë.

Sipas këtij vendimi, nga data 1 gusht 2022 çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, do të pajiset në pikë-kalimet kufitare me një dokument për hyrje/dalje.

Lidhur me ketë, Policia ka njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet në aspektin e burimeve njerëzore, po ashtu edhe në ato teknike e logjistike.

“Me qëllim të zbatimit të vendimit, mundësimit të pajisjes më të shpejtë me dokument hyrje/dalje për qytetarët që kanë nevojë, shmangies së pritjeve dhe mundësimit të qarkullimit më të lehtë kufitar, Policia e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme policore”, thuhet në njoftim.

Policia ka dhënë disa detaje lidhur me pajisjen me dokumentin për hyrje-dalje:

– Çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës nga data 1 gusht 2022 me dokument identifikimi personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, do të pajiset me Dokument Hyrje/Dalje.

– Dokumenti për Hyrje/Dalje do të zëvendësojë dokumentin e identifikimit personal gjatë hyrjes dhe qarkullimit në territorin e Republikës së Kosovës, si dhe për shfrytëzim në institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës.

– Dokumenti për Hyrje/Dalje do të lëshohet në të gjitha pikat e kalimit kufitar tokësor dhe ajror.

– Dokumenti për Hyrje/Dalje ka afat vlefshmërie nëntëdhjetë (90) ditë.

– Me dokument për Hyrje/Dalje pajisen edhe personat e moshës nën 16 vjet, të cilët nuk posedojnë dokument identifikimi, me kusht që të kenë me vete certifikatën e lindjes me fotografi.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 29 qershor ka marrë vendim që të aplikojë reciprocitet ndaj qytetarëve të Serbisë, të cilët kur hyjnë në Kosovë do të pajisen me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumenteve zyrtare të identifikimit.

“Fletë-deklarimi do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Qeveria ka vendosur që pronarët e automjeteve me targat ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’, që janë pajisur nga 10 qershori 1999 e deri më 21 prill 2022, t’u mundësohet regjistrimi i automjeteve me targat RKS.

Kosova vendos reciprocitet për qytetarët e Serbisë, duhet të pajisen në kufi me fletë-deklarim që zëvendëson letërnjoftimet