Plotësim-ndryshimi i Ligjit për Këshilli Prokurorial, reagon KPK-ja

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), të enjten ka reaguar pas vendimit të Qevrisë së Kosovës më 12 korrik për plotësim-ndryshimin e Ligjit për KPK-në.

Sipas Këshillit, miratimi i këtij ligji minon bashkëpunimin për procesin e reformës, dhe është dashur të realizohet në kohën e duhur.

“KPK-ja, deklaron me bindje se sistemi prokurorial ka përkrahur reformën e filluar, përfshirë ndryshimet ligjore, për të cilat është shprehur vullneti i angazhimit të përbashkët, porse kjo nismë ligjore është dashur të realizohet në kohën e duhur, andaj çdo rikthim i iniciativave dhe i vendimeve të këtij lloji, pa respektuar ndarjen e pushteteve dhe pa koordinimin e ndërsjellë, siç ka ndodhur në të kaluarën dhe siç po ndodhë edhe tani nga ana e Qeverisë së Kosovës, është kthim i madh prapa dhe sjellë dështim…” – thuhet në njoftimin e Këshillit Prokurorial.

Kryeministri Albin Kurti tha se tentativa e dytë për ndryshimet në ligj do të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese më 24 mars e kishte shpallur të pavlefshëm vitin e kaluar Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë, të ushtruar nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kushtetuesja ka konstatuar se disa nene të këtij Ligji nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Sipas vlerësimit të Kushtetueses, ky projektligj ishte në kundërshtim me një mori kapitujsh; “Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit”, “Kompetencat e Kuvendit” , “Roli dhe Kompetencat e Avokatit të Popullit”, “Barazia para Ligjit” , “E Drejta për Mjete Juridike”, “Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave”.

Kurse, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se kanë adresuar gjetjet kryesore përmes versionit të ri të projektligjit.

Ajo ka thënë se propozojnë që anëtarë permanentë të këshillit të jenë 7 anëtarë prej të cilëve, tre prokurorë dhe kryeprokurori i shtetit sipas detyrës zyrtare dhe tre anëtarë prokurorë të zgjedhur nga Kuvendi.

“Ne propozojmë që anëtarë permanentë të këshillit të jenë 7 anëtarë prej të cilëve, tre prokurorë dhe kryeprokurori i shtetit sipas detyrës zyrtare dhe tre anëtarë prokurorë të zgjedhur nga Kuvendi por duke ndryshuar mënyrën e zgjedhjes së tyre duke adresuar gjetjet e Kushtetueses. Pasi që përbërja prej shtatë anëtarëve nuk mund të zbatohet menjëherë marrë parasysh që një pjesë e madhe të anëtarëve të prokurorëve të këshillit, mandati ju skadon tek në vitin 2026 dhe Kushtetuesja i ka vendosë disa limite”- tha Haxhiu.

Këshilli Prokurorial në reagimin e djeshëm theksoi se Qeveria e Kosovës nuk është mjaftuar me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, dhe ka vazhduar me mos-koordinim të plotë duke miratuar me nxitim këtë projektligj.

KPK shton se përmes këtij ligji të ri pamundësohet funksionalizimi i Këshillit Prokurorial dhe “e bën të ndikueshëm lehtësisht nga politika.”

Si  e parasheh Projektligji përbërjen e Këshillit?

Sipas projektligjit në fjalë, në nenin 6 të tij parashihet përbërja e Këshillit nga këta shtatë anëtarë;

a)Kryeprokurori i Shtetit, b) 3 anëtarë prokurorë ku nga këta 3, 1 do të jetë nga Prokuroria Speciale ose ajo e Apelit kurse 2 tjerë nga prokuroritë themelore  c) tre anëtarë jo-prokuroër të zgjedhur nga Kuvendi, dhe c) 3 anëtarë jo-prokurorë të zgjedhur nga Kuvendi, 1 nga ta zgjedhet nga 2 nominimet e Avokatit të Popullit për pqrfaqësues nga radhët e anëtarëve të shoqërisë civile, në përputhje me kushtet ligjore.

Në nenin 20, parashihet edhe afati që ka Avokati i Popullit  në periudhë prej 30 ditësh nga hyrja në fuqi, që të miratojë Rregulloren e Brendshme për nominim të anëtarëve jo-prokurorë.

Kurse edhe 8 anëtarë tjerë jo-prokurorë të zgjedhur nga Kuvendi do të jenë anëtarë deri më 11 janar të vitit 2026, përveç atyre që janë në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Një pozitë nga këto 8 në total, do të jetë e rezervuar për profesorët universitarë të drejtësisë.

Ndaj këtyre ndryshimeve, Këshilli në njoftimin e tij ka paralajmëruar se do të ndjekë rrugët ligjore dhe kushtetuese për ta kontestuar përmbajtjen  e tij, pasi konsideron se i njëjti cenon mandatin kushtetues dhe pavarësinë e sistemit prokurorial.