Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Plani urban i Vushtrrisë, Tahiri zotohet se do të ruhet zona historike

Kandidati për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës në Debat Pernime ka treguar se ku do të bëhen ndërtimet e larta në këtë qytet, nëse bëhet kryetar pas balotazhit të 14 nëntorit.

Ai është zotuar se me këtë rast, do të ruhet zona historike e Vushtrrisë.

“Harta zonale e ka caktuar qartë pjesën ku do të kemi ndërtime të larta. Kjo është bërë në bashkëpunim me qytetarët. Përgjatë magjistrales, në pjesën e qytetit tani ku është, por do të ruhet zona historike e Vushtrrisë” tha ai.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Vushtrrisë, diskutojnë në #DebatPernime për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Vushtrri: Ferit Idrizi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Xhafer Tahiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i PDK-së Ferit Idrizi ka marrë 34.8% të votave kurse Xhafer Tahiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 33.8% të votave.