VIDEO - Përplasja në gjykimin për sulm me granata në lokalin e berberit Riza

Në Gjykatën e Prishtinës, 11 të akuzuar janë ulur që të përballen me akuzat që prokuroria po u vë në barrë lidhur me rastin kur dy lokalet “Riza Hair Sallon” dhe “ Missini”, ishin sulmuar me granata dore.

Për këtë rast të akuzuar janë Lundrin Beqiri, Bekë Salihaj, Adhurim Krasniqi, Valdrin Beqiri, Arianit Pllana, Kreshnik Kurti, Fidan Canolli, Adnan Murtezi, Gentrit Ismajli. Diar Raçi dhe Egzon Cakolli për veprime përgatitore për “Vrasje të rëndë”, pjesëmarrje në grup kriminal, detyrim, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm e vepra të ngjashme penale.

Gjykimi për këtë rast u përcoll me tensione që nga dhënia e fjalëve hyrëse nga palët e deri në përfundimin e seancës gjyqësore.

Disa nga të akuzuarit u deklaruan se nuk kishin qëllim që ta vrasin Riza Bajramin ashtu siç pretendon prokuroria.

“Çfarë qëllimi kam pas unë me vra Rizën, që po më akuzojnë, me pas dashtë për 24 orë e kisha njek nëpër qytet të Prishtinës” – tha i akuzuari Bekë Salihaj gjatë gjykimit.

“Çdo qytetar i Mitrovicës e di që Lindrit Misini ka pas probleme me ish-kryetarin Agim Bahtiri, çdo qytetar e di që ish-kryetari i Komunës i ka thanë Lendriti, që ka me ta shembë lokalin përmi kry. Urdhër s’i kam dhanë kurrkujt, jam kanë në vuajte të dënimit për vepra të tjera penale” – tha Valdrin Beqri

“Kur ka ndodhë ai rasti i mëparshëm, Riza e din vet çka m’ka thanë, se nëse kisha dashtë unë me e vra, a kisha mujt me vra a s’kisha mujt me vra”- tha i akuzuari Adhurim Krasniqi.

Lidhur me këto deklarime të të akuzuarve reagoi Prokurori i prokurorisë Speciale, Burim Qerkini dhe mbrojtësi i të dëmtuarit Riza Bajrami, Xhafer Tahiri.

“E kam një vërejte në përgjithësi, nuk po ndërlidhem me formën se si e kanë përshkruar fjalën hyrëse, kam vërejtje në avokatin kur prapë po e them, avokati Mentor Neziri {gjatë dhënies së fjalës hyrëse}  e rëndësishme është se pse po del prej rolit të avokatit dhe po hin në dijeni e të akuzuarve sepse ata kur kanë mujt me vra e kishin vra, ku kishin dashtë me vra e kishin vra, që është fjali shumë e randë. Pos kësaj, të njëjtën mënyre të shprehjes e kanë pasur edhe të pandehurit, Bekë Salihaj dhe Adhurim Kransiqi” – tha Qerkini

Kurse edhe më i ashpër ishte mbrojtësi i Bajramit, Xhafer Tahiri i cili pas një përplasje me Gjyqtaren e rastit, Suzana Çerkini, kërkoi përjashtimin e kësaj të fundit.

Të cilit nga Çerkini, ju shqiptua vërejtje në procesverbal dhe u nxorën nga salla së bashku me Riza Bajramin.


Sipas aktakuzës së prokurorisë speciale, në mesin e vitit 2022, të akuzuarit kanë marrë pjesë në veprimtarinë kriminale të grupit për përfitime pasurore të kundërligjshme apo për qëllime të grupit për të kryer një apo më shumë vepra penale.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Arianit Pllana, me 6 qershor të vitit 2022, ka marrë urdhër detyrë nga i pandehuri Lundrim Beqiri i njohur me nofkën “Haveri”, që për qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm t’ia hedhë një grandë dore të lokali i të dëmtuarit “Missini” me qëllim që i njëjti t’i paguaj shumën prej 10 mijë euro, ku në të njëjtën ditë i është hedhur Granada e dorës por që nuk ka pasur pasojë në njerëz por vetëm në dëme materiale.

Aktakuza e Prokurrorisë pretendon se me 18 qershor të vitit 2022, të pandehurit Fidan Cakolli e Diar Raçin kanë marrë detyrën nga i pandehuri Adhurim Krasniqi, Bekë Salihaj dhe Valdrin Beqiri që për motive të ulëta, përfshirë dhënien e dëshmisë në një procedurë penale nga (Riza Bajrami), me datën 19 qershor të hedhin mjete shpërthyese tek lokali i tani të dëmtuarit Riza Bajrami (në këtë rast) i cili është pronar i biznesit “ Riza Hair Salon”.

Të njëjtit, akuzohen nga prokuroria se kanë hedhur koktell molotovi.

Me 20 qershor të po këtij viti, sipas aktakuzës, i akuzuari Arianit Pllana kishte marrë përsipër detyrën nga Valdrin Beqiri dhe Adhurim Krasniqi, që ta privojnë nga jeta Riza Bajramin.

Sipas Prokurorisë, vrasja ishte parandaluar që të kryhet pas veprimeve të masave të fshehta që kishte bërë Policia.

Sipas aktakzuës së Prokurorisë, me 22 qershor të vitit 2022, të pandehurit Fidan Cakolli, Diar Raçi dhe Gentrit Ismajli kanë ndërmarrë veprimin e sulmit të dytë me granatë dorë te lokali i njëjtë i të dëmtuarit Riza Bajrami në lagjen “Dardania” në Prishtinë.

Sipas aktakuzës, granatën e dorës në sulmin e dytë e ka hedhur Gentrit Ismajli dhe bashkë më të kishte qenë edhe i akuzuari Diar Raçi.

Hedhja e granatës së dorë nuk kishte pasur dëme në njerëz, pro sipas prokurorisë janë dëmtuar tri makina.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit urdhrat i kishin marrë nga  i pandehuri Bekë Salihaj, Adhurim Krasniqi dhe Vladrin Beqiri.

Në aktakuzën e Prokurorisë pretendohet se granata e dorës ishte siguruar nga Fidan Canolli përmes të pandehurit Adnan Murtezi. Sipas Prokurorisë, roli i Cakolli ka qenë që të vërtetonte se si ka ndodhur sulmi me video-incizim të vendit të ngjarjes, e cila do t’i dërgohej të akuzuarit Adhurim Krasniqi.

Ndërsa sipas aktakuzës, roli i Adnan Murtezit ishte që pas komunikimit me të pandehurin Adhurim Krasniqi dhe Valdet Beqiri dhe pas sigurimit të granatës së dorës për të pandehurit e tjerë, do të kryente edhe pagesën për ekzekutorët e sulmit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, i pandehuri Lundrim Beqiri akuzohet se me 28.06.2023 pas dyshimit të sulmit të datës 06.06.2022 te lokali “Missini”, përsëri ka dhënë urdhër tek personat e tjerë t’i hidhet përsëri granatë dore tek lokali e që qëllim ishte të detyrojnë të pronarin të paguaj shumën prej 10 mijë euro.

Sipas aktakuzës, sulmi në këtë lokal ka ndodhur dy herë, me datë 06.06.2022 dhe me 28.06.2022.

Për këto veprime të pandehurit akuzohen për pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar, veprime përgatitore për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm si dhe detyrim.

Për deklarim të rremë është i akuzuari edhe Arianit Pllana. Sipas prokurorisë, i njëjti me datë 16.11.2018 në zyrat e Prokurorisë së Shtetit ka dhënë dëshmi të rreme, në një procedurë tjetër penale. Sipas prokurorisë bëhet fjalë për rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanovqi, duke përfshirë të akuzuarin Ndelejko Spasojeviq se kinse të njëjtin e ka parë me datë 15.01.2018 në vendin ku ishte gjetur vetura e djegur “Astra”, me të cilën dyshohet se ishte kryer vepra penale.

Sipas prokurorisë, i pandehuri Pllana e kishte konfirmuar këtë edhe në procesverbali e identifikimit të mbajtur nga Policia e Kosovës, edhe pse e ka ditur se në të njëjtën datë nuk ka qenë fare në vendin e ngjarjes, pasi që sipas prokurorisë, i njëjti ka qenë nën masën e paraburgimit në qendrën e paraburgimit në Pejë.

I njëjti në seancën dëgjimore me datën 27.05.2022 para trupit gjykues ka pranuar se nuk ka dëshmuar të vërteten me arsyetimin, se ka qenë nën masën e paraburgimit në kohën kur ka dëshmuar për atë rast.

Lundrin Beqiri akuzohet edhe për posedim të narkotikëve.