Plani i Qeverisë për investim në autoblinda dhe topa uji për Policinë

Qeveria Kurti, zyrtarët e së cilës në të kaluarën janë përballur me Policinë e Kosovë disa herë në protestat që i kanë organizuar, ka planifikuar t’i ndajë 980 mijë euro për blerjen e autoblindave dhe topave të ujit.

Buxheti për vitin 2020 që u miratuar në orët e para të mëngjesit të së dielës, ka paraparë investim prej 980 mijë euro në kuadër të Policisë së Kosovës për furnizim me topa uji, autoblinda, limuzina të blinduara dhe automjete speciale të tjera.

I gjithë ky projekt për furnizim më këto pajisje policore kishte nisur vite më parë, derisa është vazhduar edhe nga Qeveria e tanishme.

Qeveria ka planifikuar që në këtë projekt të investoje dhe në vitet në vazhdim. Në 2021 Qeveria ka planifikuar t’i investoj edhe 950 mijë euro, ndërsa në 2022 është planifikuar investim me vlerë prej 1 milion e 50 mijë euro.

Buxheti total për Policinë e Kosovës për vitin 2020 është 96 milionë e 701 mijë e 309 euro, ku 69 milionë euro do të shkojnë për paga dhe mëditje.  15 milionë euro për mallra dhe shërbime.

Buxheti total i Qeverisë së Kosovës për vitin 2020 pritet të jetë 2 miliardë e 356 milionë e 860 mijë e 914 euro.