Ilustrim

Policia e Kosovës pritet t’i vazhdojë investimet në autoblinda dhe mjete tjera speciale

Në draft-buxhetin për vitin 2021, evidentohet se Policia e Kosovës  pritet që edhe në vitin 2021  të investojë në autoblinda, top uji, limuzina të blinduara dhe automjete tjera speciale.

Në këto projekte kapitale pritet të investohet edhe në vitin 2021 si vazhdimësi e investimeve nga 2020-ta.

Mjetet e aprovuara për t’u investuar në vitin që vjen janë në vlerën e 680 mijë eurove.  Ndërsa deri në fund të 2020-ës, sipas këtij projektbuxheti, shpenzimet kapitale për këtë qëllim janë në vlerën e mbi 10.5 milionë eurove.

Në bazë të Projektbuxhetit për vitin 2021 i cili është ende draft, Policia e Kosovës shpenzimet e përgjithshme për investimet kapitale deri në fund të këtij viti pritet t’i ketë mbi 64.9 milionë euro ndërsa nga 2020-ta do të vazhdohen projektet në vlerën e mbi 7.1 milionë euro ndërsa nuk ka projekte të reja kapitale  të parapara të nisin në vitin 2021.

Me datën 30 të muajit të kaluar, Qeveria e Kosovës, në krye kryeministrin Avdullah Hoti ka miratuar Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2021.

Në mbledhjen e Qeverisë, shefja e kuletës së shtetit, Hykmete Bajrami kishte deklaruar se shpenzimet buxhetore do të jenë rreth 2.4 miliardë euro.

“Ekonomia për vitin 2021 pritet të rritet me 5.1%. Gjatë 2021 pritet një dinamikë më e shpejtë e investimeve publike. Gjatë vitit duhet të rifanciojme 162 milionë për borxhin aktual. Shpenzimet buxhetore janë planifikuar të jenë rreth 2 milardë e 400 mijë euro. Shpenzimet për paga pritet te jenë 625 milionë euro”, citohet të ketë thënë ministrja Bajrami.