Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Planet e Vetëvendosjes për zhvillimin ekonomik

Rozeta Hajdari, ish-ministre e Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Qeverinë Kurti, ka thënë se në rast se vijnë në pushtet, do të ndihmojnë prodhuesit vendor.

Ajo ka thënë se shumë ndërmarrje të vogla e të mesme, por edhe të mëdha, do të kenë mundësi për kredi të buta.

“Ne e kemi pasur një program për rimëkëmbje ekonomike dhe të gjitha ato masa që i kemi paraparë në rimëkëmbje ekonomike do të adresohen edhe në qeverisjen e re Kurti 2. Do t’i ndihmojmë sektorin privat, ndërmarrjet e vogëla dhe të mesme dhe mikro, që janë mbi 90% e sektorit privat. Do të subvencionohen me grante, për shembull bizneset e reja dhe bizneset që udhëhiqen nga gratë. Edhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të kenë mundësi të marrin kredi të buta”, ka thënë Hajdari në Debat Pernime.

Sipas ish-ministres, ndihmë do të kenë edhe Ndërmarrjet Publike të Kosovës.

“Ndërmarrjet publike, po ashtu do t’i ndihmojmë, duke filluar nga depolitizimi i bordeve dhe do t’i ndihmojmë me subvencione nga qeveria Kurti 2. Ne do t’i përkrahim prodhesit vendor duke filluar me kredi të buta dhe përkrahje në ligje. Është shumë e rëndësishme që sektori privat mos të sfidohet në eksportimin e mallrave të tyre në vendet e jashtme.  Prodhuesit e qumështit kishin shumë shumë probleme me plasimin e qumështit në treg. Aty kanë qenë shumë iniciativa të mira. Edhe bujqit do të kenë ndihmë nga qeveria”, tha ajo.

Albin Kurti së bashku me ekipin e tij, Glauk Konjufca, Arben Vitia, Hekuran Murati, Albulena Haxhiu, Arbërie Nagavci, Fitore Pacolli, Jeta Statovci, Mimoza Kusari, Rozeta Hajdari nga Lëvizja Vetëvendosje, sonte janë të ftuar në #DebatPernime.

Cila është oferta e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit?

Cilat janë planet e Albin Kurtit dhe ekipit që ai i udhëheq për luftimin e korrupsionit?

A do të jetë kryeministër ai pas zgjedhjeve të 14 shkurtit?

Siç dihet, Kurti nuk është certifikuar në listën e Vetëvendosjes nga ana e KQZ-së, pas vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës ai mbeti përfundimisht jashtë listës së votuesve.

Mirëpo, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka dorëzuar KQZ-së, listë të re edhe pas vendimit të Supremes, duke e lënë kështu listën e njëjtë.

Cikli i #DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.