Pjetër Shala arrestohet për krime lufte nga Prokuroria në Hagë
Pjetër Shala është arrestuar sot në Belgjikë pas një fletarrestimi të lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Siç ka njoftuar zyra për medie e Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë të Holandës, Pjetër Shalës i është konfirmuar një aktakuzë për krime lufte.
“Më 16 mars 2021, autoritetet e Belgjikës arrestuan Pjetër Shalën në zbatim të fletarrestimit dhe aktakuzës së konfirmuar për krime lufte, lëshuar nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës. Pjetër Shala do të mbahet i ndaluar në Belgjikë, në pritje të transferimit të tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hagë”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit së shpejti do të jepet më shumë informacion ku do të përfshihet edhe informacion për nxjerrjen publike të aktakuzës së konfirmuar me redaktimet e nevojshme.
“Në bazë të rregullës 88 të Rregullores së Procedurës dhe Provave, aktakuza bëhet publike jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit”, thuhet tutje në njoftim.