Foto: Reporter.al

Pezullohet mësimi edhe nesër në Shqipëri, 10 shkolla jashtë funksionit

Përveç ditës së sotme mësimi do të vijojë i pezulluar edhe gjatë ditës së nesërme në Shqipëri,  si pasojë e tërmetit që ndodhi mëngjesin e kësaj të marte.

Sipas opinion.al, gjithashtu mësohet se po vijohen me inpektimin për dëme në shkolla, ndërkohë që 10 prej nuk janë funskionale për shkak të dëmtimeve që kanë marrë nga tërmeti.

Pushimi për shkollat do të jetë edhe në ditën në vijim për shkak të pushimeve zyrtare për festat e Nëntorit.

Gjithashtu është bërë e ditur se edhe Gjykatat kanë pezulluar aktivitetin e tyre dhe seancat gjyqësore për ditën e sotme.

“Për shkak të situatës së krijuar si rrjedhojë e lëkundjeve sizmike, duke patur prioritet kryesor sigurinë e qytetarëve dhe të personelit të gjykatave, Këshilli i Lartë Gjyqësor njofton se nuk do të zhvillohen gjyqe në gjykatat që ndodhen në qytetet Tiranë, Durrës, Kavajë, Krujë, Lezhë, Laç, deri sa autoritetet kompetente të konfirmojnë përshtatshmërinë e godinave respektive. Këshilli i Lartë Gjyqësor do të jetë në komunikim të vazhdueshëm me drejtuesit e gjykatave për çdo zhvillim të mëtejshëm”, thuhet në një njoftim të KLGJ-së.”

Si pasojë e tërmetit të fuqishëm që goditi Shqipërinë, raportohet se numri i viktimave ka shkuar në 9.

Ndërkohë, ekipet e shpëtimit janë shpërndarë në zonat e prekura nga tërmeti me magnitutë 6.5.

28 persona janë shpëtuar nga rrënojat e pallateve në Thumanë dhe Durrës, por raportohet gjithashtu për një numër të konsiderueshëm njerëzish që kanë mbetur të bllokuar në rrënojat e godinave të shembura në këto zona.

Mëngjesin e sotëm Shqipëria është goditur nga disa tërmete, të cilat janë ndier edhe në Kosovë dhe më gjerë.

Liderë të institucioneve të Kosovës kanë shprehur gatishmërinë për t’i dalë në ndihmë shtetit shqiptar, përderisa pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), janë nisur për në zonat e prekura nga tërmetet.