Petar Petkoviq - Foto: REL/ Zyra për Kosovën

Petkoviq: Masa e paraburgimit ndaj Pantiqit, “vazhdimësi e arrogancës së Kurtit”

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se masa e paraburgimit prej një muaji për ish-pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, është “vazhdimësi e arrogancës së (kryeministrit të Kosovës Albin) Kurtit.

Sipas tij, “Kurti e ka arrestuar një person të pafajshëm vetëm pse ka emër dhe mbiemër serb”.

Sipas autoriteteve të Kosovës, “Pantiq ka organizuar sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor, kur “janë sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë”.

Si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të Pantiqit më 10 dhjetor, serbët lokalë në veri të Kosovës kanë ngritur barrikada.

Më pas, Policia e Kosovës, duke përmendur aspektin e sigurisë, ka mbyllur dy pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë – Jarinjë dhe Bërnjak. /REL