Deputeti i CDU-së, Peter Beyer në konferencë para gazetarëve në Prishtinë

Peter Beyer zgjedhet raportues i Kosovës në KE, eliminohet kandidati rus

Deputeti i Bundestagut gjerman, Peter Beyer, është emëruar raportues i Kosovës në Këshillin e Evropës.

Gjatë votimit në Komitetin për Politikë të Jashtme dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropë, Beyer fitoi garën ndaj kandidatit Aleksey Kondratyev, i cili është me prejardhje ruse.

“Urime për Peter Beyer nga Gjermania, i cili është emëruar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës si raportues i situatës në Kosovë”, ka bërë të ditur Asambleja Parlamentare në Twitter.

Lajm të mirë e ka quajtur ish- nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti i cili ishte i pranishëm gjatë votimit.

“Dështoi zgjedhja e ish- spiunit rus, Aleksey Kondratyev, raportues në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës për Kosovën”, u shpreh ai.

“I falënderoj për mbështetje të gjithë anëtarët e delegacioneve të Komisionit për Politikë të Jashtme e Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, ka shkruar ai në rrjetin social ‘Facebook’.

Haliti ka falënderuar miqtë e tij që e ndihmuan të lobojnë kundër përzgjedhjes së rusit.

“Një falënderim i veçantë kam edhe për miqtë e mi, Ervin Bushatin nga Parlamenti i Shqipërisë, Adnan Dibrani nga Parlamenti i Suedisë dhe dhe Mimoza Ahmeti( konsulle e përgjithshme e Kosovës në Starsburg), me të cilët lobuam fuqishëm kundër zgjedhjes së ish- spiunit rus raportues për Kosovën”, tha ai.

Kandidimi i Aleksey Kondratyev me prejardhje ruse, kishte ngjallur reagime të shumta edhe nga shoqëria civile.

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, emërimin e Kondratiev e ka konsideruar rrezik për Kosovën dhe ka shtuar se nuk duhet bashkëpunuar me të.

“Unë kam shprehur shqetësimin tim të thellë për @coe dhe #PACE për kandidimin e Alexei Kondratiev si raportues për Kosovën. Ai është një kërcënim i sigurisë kombëtare për Kosovën dhe ne nuk do ta pranojmë emërimin e tij të mundshëm e as nuk do të bashkëpunojmë me të. #coe duhet të mendojë dy herë para se të ndërmarrë një hap të tillë”, ka shkruar Pacolli në rrjetin social ‘Twitter’.

Aleksey Kondratyev deri në vitin 2010 ishte oficer i shërbimit special ushtarak GRU, dhe nga viti 1999 deri në 2001 ishte në Kosovë si pjesë e kontingjentit ushtarak rus, raporton ‘Pagina de Rusia’.