Këshilli i Evropës, Strasburg/ Foto: Denis Sllovinja, KALLXO.com

Raporti për Kosovën lidhur me anëtarësimin në Këshillin e Evropës shqyrtohet sot në Paris

Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci i Këshillit të Evropës, mblidhet më 27.03.2024 në Paris të Francës, për ta shqyrtuar raportin e Dora Bakoyannis-it, lidhur me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në KiE.

Nga Këshilli i Evropës në një përgjigje për Kallxo.com kanë konfirmuar se në këtë mbledhje, Bakoyannis si raportuese për Kosovën do të paraqesë raportin e saj që përmban një draft-opinion.

“Asambleja mund të vazhdojë me debatin dhe votimin për këtë çështje vetëm pasi Komisioni për Çështje Politike të ketë miratuar draft opinionin dhe pasi dy komisione të tjera të kenë dhënë pikëpamjet e tyre. Siç e dini, pasi Kuvendi të ketë dhënë Opinionin e tij statutor, çdo vendim përfundimtar mbi *aplikacionin e Kosovës për anëtarësim merret nga Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës”- ishte përgjigjur Këshilli i Evropës në një përgjigje për KALLXO.com, më  14.03.2024.

Kështu ishte përgjigjur Këshilli i Evropës në pyetjen e KALLXO.com nëse qëndrojnë datat e paraqitura nga kryeministri Albin Kurti për kohën kur parashihen të mbahen mbledhjet për Kosovën.

Kryeministri Kurti më 13.03.2024 tha se më 22 mars është mbledhja e jashtëzakonshme e Komitetit të Këshillit të Europës.

“…kah mesi i prillit është Asambleja Parlamentare e KiE dhe në fund të majit është Këshilli i Ministrave në KiE që vendos për anëtarësimin tonë”- tha Kurti më 13.04.2024.

Kurti po atë ditë dha lajmin se se kanë kërkuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit, si kusht kryesor për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Sot i kemi thënë Agjencionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese kurse ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zonja Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese për këtë çështje Këshillit të Evropës”- tha Kurti.

Ndër tjera, Kurti tha se nuk ka dyshim që anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte jo vetëm fitore historike, por edhe një hap gjigant për Kosovën drejt njohjes së pesëshes evropiane që mundëson anëtarësimin në NATO dhe BE për Kosovën e pavarur.

Në vitin 2023, ekspertët e pavarur të Këshillit të Evropës konfirmuan se legjislacioni i Kosovës përputhet me standardet e Këshillit të Evropës për sundimin e ligjit.

Raporti i ekspertëve është pjesë e analizave që do të vlerësohen nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës para se kërkesa e Kosovës për anëtarësim të hidhet në votim.

Anëtarësimi i Kosovës në KiE, është përfshirë si pjesë e marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arritur më 27.02.2023 dhe në takimin në Ohër, në 18.03.2023 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Kosova e paraqiti kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12.05.2022.

Në prill të vitit 2023, pas një mbledhje të jashtëzakonshme, Komiteti Ministror vendosi që ta dërgojë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Ditë më parë, tre liderët e shtetit: presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufa dhe kryeministri Albin Kurti i kanë dërguar një letër raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakyoannis, duke u zotuar se do t`i zbatojnë të gjitha masat që i kërkohen Kosovës pasi të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës.

Këshilli i Evropës i ka 46 anëtarë, nga 47 që i kishte para përjashtimit të Rusisë.

Pranimi në këtë organizatë të bëhet me votimin e shumicës prej 2/3.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Europë, e themeluar në vitin 1949.