Osmani: Asociacioni nuk i kërkohet Kosovës para pranimit në Këshillin e Evropës

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se Kosova ka bërë çfarëdo që është pritur prej saj dhe ka marrë hapat e nevojshëm për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Këtë deklaratë ajo e ka bërë më 27.03.2024, pikërisht në ditën kur mblidhet Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci i Këshillit të Evropës, për ta shqyrtuar raportin e Dora Bakyoannis-it.

Me këtë rast, Osmani ka siguruar se çështja e Asociacionit nuk i kërkohet Kosovës para pranimit në KiE.

“Interpretimet që jep zonja Bakyoannis dhe interpretimet që japin deputetë individual janë interpretime të tyre, mirëpo në qoftë se e shohim letrën e saj, në veçanti paragrafi 11 i raportit e qartëson se kur flitet për Asociacionin, flitet si një prej detyrimeve post anëtarësimit. Pra nuk flitet për këtë fazë themelimi i Asociacionit”, tha Osmani.

Ajo përkujtoi se për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është dhënë përkushtim i plotë nga delegacioni i atëhershëm i Kosovës në vitin 2013.

“Dhe mos të harrojmë që për themelimin e Asociacionit është dhënë përkushtimi i plotë në vitin 2013 nëpërmjet ratifikimit, por ky është përsëritur në marrëveshjen e fundit, në Marrëveshjen bazike të shkurtit 2023. Pra, ky nuk është përkushtim i marsit 2024, është përkushtim i 2013-es që është pranuar nga delegacioni i Kosovës- dhe ajo siç e dini të gjithë përfshinë themelimin e Asociacionit. Ajo çka është me rëndësi që ka qenë edhe kërkesë e imja në letrën që e kemi dërguar e kam përfshirë një pjesë ku kërkohet që çdo detyrim i Kosovës të zbatohet në përputhje me të drejtën kushtetuese dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Pra kjo është korniza jonë nuk dalim asessi jashtë saj”, tha më tej Osmani.

E para e shtetit ka thënë se ajo çfarë pritet të ndodh sot është thjesht procedurë dhe se nuk mund ta paragjykojë rezultatin.

Por, ajo ka siguruar se vendi ka ndërmarr të gjitha hapat e nevojshëm në mënyrë që shtetet ta përkrahin anëtarësimin e Kosovës.

“Raporti tashmë është pozitiv. Përmbajtja e raportit rekomandon që Kosova të bëhet anëtare e plotë e Këshillit të Evropës me të drejta të barabarta sikurse të gjithë anëtaret tjerë të KiE. Ajo çfarë do të ndodh sot është procedurë. Kjo është një mbledhje e jashtëzakonshme e Komitetit e cila është ftuar në mënyrë që ky raport të miratohet dhe pastaj të procedohet për Asamblenë Parlamentare të KiE. Ne nuk mundemi të paragjykojmë rezultatin, kjo është në vullnetin e deputetëve individualë të shteteve që marrin pjesë sot në Komitet. Mirëpo çfarë mund të them është se Kosova ka bërë çfarë do që është pritur nga ajo dhe ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm në mënyrë që shtetet ta përkrahin këtë anëtarësim dhe deputetët e këtyre shteteve ta përkrahin këtë anëtarësim.”, ka thënë presidentja Osmani.

Sipas saj, të gjitha nivelet e institucioneve në Kosovë janë angazhuar në lobim dhe presin rezultate pozitive.

‘’Të gjitha nivelet e institucioneve të Republikës së Kosovës janë angazhuar me deputetët e Asamblesë Parlamentare, por edhe jemi duke biseduar me shtetet veç e veç. Si presidente jam angazhuar me liderët e shteteve dhe Kuvendi i Kosovës po punon me deputetët individual dhe presim sot rezultatin me shpresë që do të mbështetet kjo kauzë e qytetarëve të Kosovës ‘’, deklaroi Osmani.

Ditë më parë, tre liderët e shtetit: presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufa dhe kryeministri Albin Kurti i kanë dërguar një letër raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakyoannis, duke u zotuar se do t`i zbatojnë të gjitha masat që i kërkohen Kosovës pasi të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka theksuar se është e kuptueshme që kjo letër mund të jetë standarde para aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por kurrsesi nuk mund të konsiderohet vetëm si formalitet, meqë sipas tij, “gama e zotimeve në këtë letër është shumë e gjerë dhe kërkon obligime konkrete”.

Këshilli i Evropës i themeluar më 1949  është organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Kjo organizatë luan rol të rëndësishëm në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian duke mbështetur vendet e interesuara në kryerjen e reformave në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës, për aq sa këto reforma janë të nevojshme për mbylljen e zgjerimit.