Behgjet Pacolli - Foto: REL/EPA-EFE

Pacolli i reagon KE-së: Nuk e pranojmë raportuesin rus për Kosovën

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas raportimeve se rusi Alexei Kondratiev do të bëhet raportues për Kosovën në Këshillin e Evropës.

Pacolli emërimin e Kondratiev e ka konsideruar rrezik për Kosovën dhe ka shtuar se nuk duhet bashkëpunuar me të.

“Unë kam shprehur shqetësimin tim të thellë për @coe dhe #PACE për kandidimin e Alexei Kondratiev si raportues për Kosovën. Ai është një kërcënim i sigurisë kombëtare për Kosovën dhe ne nuk do ta pranojmë emërimin e tij të mundshëm e as nuk do të bashkëpunojmë me të. #coe duhet të mendojë dy herë para se të ndërmarrë një hap të tillë”, ka shkruar Pacolli në rrjetin social ‘Twitter’, të martën.

Alexei Kondratiev deri në vitin 2010 ishte oficer i shërbimit special ushtarak GRU, dhe nga viti 1999 deri në 2001 ishte në Kosovë si pjesë e kontingjentit ushtarak rus, raporton ‘Pagina de Rusia’.