Ilustrim

Pesë raste të dhunës në familje për 24 orë në rajonin e Prishtinës

Pesë raste të dhunës në familje janë regjistruar për 24 orët e fundit në rajonin e Prishtinës. Policia njofton se lidhur me rastin e parë ka arrestuar një të dyshuar në Lipjan. I dyshuari, siç njofton Policia ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje dhe se e njëjta ka pranuar edhe ndihmën e mjekut.

“Është arrestuar i dyshuari, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje  ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës grua kosovare. E njëjta ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari, pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

Tuje Policia bën të ditur se një rast tjetër i dhunës në familje ka ndodhur në Prishtinë, ku burri vazhdimisht kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj gruas së tij.

“Viktima kosovare ka raportuar se bashkëshorti i saj – i dyshuari, vazhdimisht ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj. Nuk raportohet për të arrestuar, ndërsa rasti vazhdon të hetohet”, njofton Policia.

Poashtu Policia njofton se një rast tjetër i dhunës në familje ku ishin përfshirë disa burra ka ndodhur në Prishtinë.

Lidhur me këtë rast policia bën të ditur se anë arrestuar tre të dyshuarit kosovarë pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje e kanë sulmuar fizikisht viktimën mashkull.

“Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa tre të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Rasti i radhës siç njofton Policia ka ndodhur në Fushë Kosovë, ku një burrë ka njoftuar se është sulmuar nga i vëllai i tij.

“Viktima ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga vëllai i tij. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Rasti i pestë i dhunës në familje ka ndodhur në Lipjan, ku një grua është dëbuar nga shtëpia nga burri i saj i dyshuar.

“Viktima ka raportuar se bashkëshorti i saj, i dyshuar, nën ndikim të alkoolit e ka dëbuar atë nga shtëpia. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, bën të ditur Policia.