Pesë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë

Pesë raste të dhunës në familje janë regjistruar në 24 orët e fundit në Policinë e Kosovës.

Rastet janë raportuar në Podujevë, Prishtinë, Lipjan, Gjakovë dhe Vushtrri.

Lidhur me këto raste Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona të dyshuar.

Në Podujevë një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes dhe djalit të tyre të mitur.

Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 10:50.

Viktima pas tretmanit mjekësor dhe intervistimit në prezencë të Qendrës për Punë Sociale, janë dërguar tek familja e viktimës, ka njoftuar PK.

“Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”-thuhet në njoftim.

Në Prishtinë, një burrë ka raportuar në Polici se ishte kanosur me fjale ofenduese nga djali i tij dhe ne mënyrë agresive me veturë e ka goditur dy here nga prapa dhe është larguar në drejtim të panjohur.

Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 09:30 në “Veternik”, në Prishtinë.

Policia kanë arritur ta arrestojnë  të dyshuarin dhe pas intervistimit, ne konsultim me prokurorin , janë iniciuar tri raste dhe i njëjti është dërguar në mbajtje, thuhet në njoftim.

Një burrë në Lipjan është arrestuar nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht dy motrat e tij.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20:00 dhe njëra nga viktimat ka pranuar tretman mjekësorë si pasojë e lëndimeve trupore.

“Në konsultim me prokurorin pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje”-ka njoftuar PK.

Një rast i dhunës në familje është regjistruar dje në Gjakovë.

Një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Viktimës i është ofruar tretman mjekësor ndërsa i dyshuari pas intervistimit në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt, ka njoftuar Policia.

Edhe në Vushtrri një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 15:00. Viktima pas tretmanit mjekësor dhe intervistimit në prezencë të QPS-së, viktima dhe fëmijët e saj janë dërguar tek familja e viktimës.

“Lidhur me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që pas intervistimit i dyshuari të lirohet dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt”-thuhet në njoftimin e Policisë.